Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar në mbledhjen e fundit mbylljen e këtij vend-depozitimi, ndërkohë që i ka hapur dritën e gjelbërt projektit eco-park në Durrës, i cili do ta kthejë fushën e plehrave të kësaj bashkie në një park me gjelbërim, hapësira pushimi dhe atraksione sportive, njësi shërbimi dhe parking. Gjithsej janë 155 mihë metra katrore që do të transformohen në zonën e Porto Romanos. Investimi është rreth 14 milionë euro, ndërsa punimet duhet të nisin në mars të vitit 2020, për të përfunduar pas tre vitesh.
Vend depozitimi i plehrave në Durrës është ndoshta zona më e ndotur në Shqipëri, prej dekadash aty janë grumbulluar jashtë çdo kriteri plehrat duke u lënë të degradojnë në qiell të hapur. Sipas projektit fillimisht do të bëhet kapsulimi dhe më pas rehabilitimi i tokës, ndërkohë që është me projekte të tjera është planifikuar nisja e urbanizimit të zonës.
Me mbylljen e fushës mjaft të rrezikshme të depozitimit të mbetjeve në Durrës, Bashkia e këtij qyteti do t’i depozitojë plehrat në landfillin e Tiranës. Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Kombëtar I Territorit ka miratuar planin kombëtar sektorial në fushën e menaxhimit të mbetjeve të ngurta.