Nga Ben Andoni/
Është pak e vështirë të përshkruash se çfarë ndjesie është ta shikosh të shkuarën e afërt në kohën e sotme. Ajo më së shumti është e ballafaquar me kujtimet mbi krimet e komunizmit dhe ndodhitë e një klase vazhdimisht të persekutuar dhe ato që lidhen me vetë komunizmin dhe anëtarët e saj, të ashtuquajturin Lufta brenda llojit. Kemi marrë deri më tani falë medias informacione nga konferenca, seminare dhe tryeza të rrumbullakta, apo të gjithë protokollet dhe persekutimet, kujtimet për të dënuarit VIP të Enver Hoxhës, ashtu si më parë persekutimin e këtyre ndaj të tjerëve që erdhën pas Luftës së Dytë Botërore. Për të mos vazhduar me persekutimin e këtyre të fundit ndaj njerëzve të Zogut dhe kështu me radhë.
Në një farë mënyre është realisht e vështirë ta përshkruash me këtë qerthull sensin e nostalgjisë, por shkenca dhe sidomos psikologët dhe studiuesit na ndihmojnë, pasi i gjejnë nostalgjisë lidhje me shëndetin mental. Kjo e bën shpesh nostalgjinë të duket gati torturuese në formën sesi serviret. Dhe, kështu ndodh me viktimat e komunizmit, sot, kur nuk mund ta përfytyrojnë që u serviren kujtimet e sheqerosura të persekutorve të tyre apo sesi shumë nga ata janë më mirë me çdo gjë qoftë dhe në përballje me jetën e sotme post Demokraci. Në fakt, nostalgjia dikur nga studiuesit mendohej si të ishte një çrregullim që shkaktonte depresion. Realisht përvoja shqiptare është e shoqëruar me këtë fenomen dhe ka treguar se është e vërtetë.
Svetlana Boym “Në të ardhmen e Nostalgjisë” mendon se ekzistojnë dy lloje syresh të nostalgjisë: njëra që njihet me atributin si restauruese dhe tjetra reflektuese. Nostalgjia restauruese e nxit individin të kthehet dhe të modifikojë ose madje edhe ta riformësojë të kaluarën, ndërsa nostalgjia reflektuese e lejon individin t’i pranojë kujtimet për atë sesi ato janë. Në më të shumat e herëve, njerëzit i përjetojnë të dyja llojet e nostalgjisë njëlloj, por ajo që konsiderohet si restauruese të bën të ndjehesh realisht i trishtuar, shkruan Boym. Kjo të vjen ndërmend kur nga media jonë jepen deri imazhe të viktimave të komunizmit gjatë ekzekutimeve, ashtu si edhe evokohet në ligjëratë të drejtë me të gjithë elementet e narracionit koha e komunizmit. Mund të ketë një lloj nostalgjie për atë që njerëz të ndryshëm ndjejnë për ato gjëra, të cilat kanë bërë në kulmet e tyre por harrohet se pastaj të kap trishtimi për një kohë të tërë me privacione. Për hir të së vërtetës këtë ndjenjë komplekse ekspertët e psikologjisë nuk na ndijnë dot ta zbërthejmë pasi vetë nostalgjia mëtohet të jetë e tillë… e koklavitur.
Studimet shkencore në vite të kanë nxjerrë evidenca të ndryshme, si ajo përshembull në vitin 2013 prej të cilës mendohej që njerëzit të cilët ishin nostalgjikë ndjeheshin optimistë dhe më të zotët të gjenin lidhje vitale mes të shkuarës dhe së tashmes, referon Cory Stieg tek “Ëhy Does Nostalgia Make You Sad Sometimes?” (Pse Nostalgjia të bën ndonjëherë të trishtuar) Ndërkohë, nostalgjia mund të ndijë realisht me kujtimet e mira që individë të caktuar e besonin se i posedonin dikur.
Në rastin tonë, çuditesh me nostalgjinë për komunizmin, pasi realisht nëse ka qenë i tillë komunizmi pse atëherë ne votuam masivisht për shporjen e tij dhe vazhdimisht e anatemojmë. Kjo, pra, nuk mund të quhet më nostalgji por realisht patologji. Kjo i ndodh shumë njerëzve të persekutuar që nuk mund ta kujtojnë dot atë kohë por që kjo shoqëri ja u përcjell që ata ta kujtojnë.
“Ajo që ne harrojmë nga ajo nostalgji është dhuna që diktonte jetët e njerëzve, frika nën të cilën njerëzit jetonin. Nostalgjia mbetet te pasiguria në të tashmen dhe tek një lloj amnezie, që njeriu harron se çfarë ka paguar e vuajtur atë kohë. Pa një mënyrë për të menduar për të ardhmen, ne kthehemi te e shkuara dhe kujtojmë se ka qenë më mirë. Ndërsa sot askush nuk gjen një vend punë pa qenë me partinë politike në pushtet, dhe sa herë ndërrohet qeveria këtu zëvendësohen njerëzit kompetentë me besnikë të partive politike. Pasiguria te e ardhmja ndjehet edhe në shërbimet spitalore, edhe në shkolla ku edukimi nuk po bazohet tek meritat. Njerëzit sot po ndjehen të pasigurtë dhe kujtojnë se kanë qenë më të sigurtë atëherë”, – thoshte pak kohë më parë në një aktivitet për nostalgjinë dr. Lori Amy. Kurse historiani Romeo Gurakuqi e lidhte këtë gjëndje me një krizë të sistemit, sepse ndodhi një reformim jo i plotë i shoqërisë shqiptare, e cila doli e shkatërruar nga komunizmi ekstrem me vuajtje të rënda.
Në të vërtetë, shkenca e ka të përcaktuar se nostalgjia nuk të sjell dot të gjithë ngrohtësinë, që t’i pret të dalë prej ndjenjave të së shkuarës, ndaj është normale të na kaplojë trishtimi për kujtime të caktuara, referuar sërish nga Stieg. Gjëja më e rëndësishme, e cila ia vlen të mendosh është se vërtetë nuk mund të kthehemi më në kohë dhe t’i ndryshojmë gjërat e shkuara që na ndodhën, por mund të reflektojmë për të mos i sjellë më pas gjërat negative dhe mënyrën sesi duhet të mendojmë për to. Anipse, nuk duhet harruar se fatkeqësisht shoqëria jonë i prodhon normal ato. Ndaj, nostalgjia në vendin tonë është e trishtë sepse evidenton më shumë …patologjinë tonë. (Homo Albanicus)