Në çerekfinalen e Kupës së Italisë dhe me hap titulli… I tillë është starti i vitit 2020 për Milanin, pas mbërritjes së Zlatan Ibrahimovic, nën efektin e tij. Kuqezinjtë, që do të zbresin në fushë nesër, në “San Siro”, për ndeshjen kundër Torinos, e cila vlen gjysmëfinalen e Kupës (ndaj Juventusit) janë tashmë një ekip i rigjeneruar objektivisht, në shpirt, në performancë dhe mbi të gjitha në rezultate. Nga 6 janari, kur u luajt ndeshja e parë e Ibrahimovic, në “jetën” e tij të dytë me Milanin, deri më sot, ekipi i drejtuar nga Pioli ka siguruar një cikël pozitiv prej 5 ndeshjesh radhazi, mes kampionatit dhe kupës. Prej këtyre, ka fituar katër dhe barazuar një (0-0 me Sampdoria, sfida e parë për vitin 2020, në “San Siro”).
Në këtë “fetë” të vogël të sezonit, Zlatan ka luajtur gjithmonë, përveçse në fitoren 3-0 ndaj Spal, në Kupën e Italisë. Bilanci i suedezit është një gol i shënuar, ai i fitores 2-0 në transfertë me Cagliari, por ndikimi i tij në dhomën e zhveshjes kuqezi shkon përtej asaj që pritej. Nën efektin e gjigantit suedez ka rilindur Theo Hernandez, që u kthye të shënojë në Serie A. Po kështu, që kur Ibrahimovic u bashkua me Romagnoli dhe shokët e tij, në të vërtetë, Milani ka grumbulluar 10 pikë në 4 ndeshje; më mirë se liderët e Juventusit (9 pikë) dhe Interit, që i ndjek kampionët (6 pikë). Vetëm Lazio dhe Verona kanë mbajtur të njëjtin ritëm si kuqezinjtë. Kalimi nga skema 4-3-3 në 4-4-2 solli më shumë peshë në zonën kundërshtare (sulmuesit kanë realizuar 5 nga 6 golat në total, në 4 ndeshjet me Ibra në formacion) dhe soliditetin në prapavijë.
Donnarumma e ka mbajtur portën të paprekur në 3 raste, duke pësuar gol vetëm ndaj Udinese. I besueshëm në mbrojtje, cinik përpara dhe i përqendruar deri në “bilbilin” e fundit, Milani i vitit 2020 po ecën me hap titulli. Fitoret me Cagliari, Udinese dhe Brescia erdhën falë golave të shënuar në pjesën e dytë, ku shpëtimtar ka rezultuar një tjetër futbollist i harruar në stol, kroati Ante Rebic. Në këtë rilindje të kuqezinjve, pa diskutim ka ndikuar Ibrahimovic, fryma që suedezi ka futur në stërvitje dhe ndeshje. Nëse iu referohemi këtyre statistikave, që cekëm më lart, Milani i ri e ka nisur rrugën e ngritjes për në… Europë.