Policia Kufitare po ndërmerr një sërë masash për eliminimin e radhëve në pikat kufitare, si rezultat i largimit të emigrantëve pas festave të fundvitit, si dhe për parandalimin e ngjarjeve dhe paligjshmërisë.

Për të eliminuar radhët, Policia Kufitare ka shtuar sportelet në dalje, aktualisht vijon puna me 9 sportele, 6 në dalje dhe 3 në hyrje.

Gjatë 24 orëve të fundit, kanë hyrë dhe kanë dalë 9 760 shtetas dhe 1 730 mjete, nga këta 3 900 shtetas dhe 620 mjete në hyrje dhe 5860 shtetas 1 110 mjete në dalje.

“Në momente kur fluksi është i madh, Policia Kufitare aplikon kontrollet e lehtësuara kufitare, pa anashkaluar kontrollet e automjeteve në bazë të analizës së riskut, për të parandaluar trafikimin e lëndëve narkotike dhe falë këtyre kontrolle, një ditë më parë u sekuestruan dy pako heroinë dhe u vu në pranga poseduesi”, – thuhet në një deklaratë për shtyp të Policisë së Shtetit.

Po ashtu në Kakavijë, gjatë fluksit në hyrje dhe në dalje u bllokuan 5 automjete të vjedhura, 4 prej tyre luksoze si dhe u proceduan penalisht 5 shtetas, ndërmjet tyre edhe një shtetas grek, për veprën penale “trafikim i mjeteve motorike” .

Policia Kufitare në bashkëpunim me FRONTEX-in, vijon kontrollet jo vetëm në Pikat e Kalimit, por edhe në kufirin e gjelbër, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë.