Shqipëria renditet e shtata në Europë për prodhimin e portokallëve në vitin 2018, duke u ngjitur një vend në renditje në krahasim me një vit më parë. Të dhënat bëhen të ditura në një raport të fundit të Eurostat, sipas të cilit në 2018-n në Shqipëri u kultivuan 300 ha me portokalle, me një rritje prej 50% në raport me sipërfaqen në 2017-n. Ndërsa prodhimi arriti në 10,800 ton, me një rritje prej gati 20% . shtimi I ndjeshëm I sipërfaqes në 2018-n është një tregues se prodhimi mund të rritet më shumë në vitet në vijim, kur të hyjnë në prodhim fidanët e rinj.
Në Europë raportohen vetëm 10 shtete që kultivojnë portokalle për shkak të klimës së tyre të përshtatshme. Në 2018-n, Shqipëria rezulton që ia ka kaluar Francës, e cila prodhoi rreth 10 mijë ton portokalle.
Sipas Eurostat, Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian (BE) korrën 6.5 milion ton portokall në vitin 2018. Ky ishte niveli më i lartë i prodhimit që nga viti 2010 dhe u mbështet nga korrja rekord në Spanjë (3.6 milion ton portokall, ose 56% e totalit të BE-së ).
Kërkesat klimatike për portokallet bëjnë që prodhimi të jetë i kufizuar në një pjesë të vogël të Shteteve Anëtare. Përveç Spanjës, vendet e tjera kryesore prodhuese ishin Italia (1.6 milion ton, ose 24% e totalit të BE) dhe Greqia (0.9 milion ton, ose 14% e totalit të BE).