Pak orë pas mesnatës një zjarr ka pëfshirë spitalin rajonal të Durrësit. Në spital ka pasur edhe pacientë të shtruar të cilët fatmirësisht nuk kanë pasur dëmtime shëndetësore.
Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës, ndërsa mësohet se ka qenë Pavijoni i Kardiologjisë dhe Nefrologjisë ai që është përfshirë nga flakët.
Menjëherë është bërë evakuimi i personave të shtruar ndërkohë forcat e zjarrfikëses dhe policia ndodhen në vendngjarje për të zbardhur sesi nisi zjarri.
Ndërkohë drejtoresha e Spitalit, Nadire Jani ka deklaruar se zjarri ka përfshirë kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë deri në katin e katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji.
Sipas drejtoreshës Jani, janë zhvendosur të gjithë pacientët e neurologjisë dhe kirurgjisë, ndërsa 5 prej tyre janë dërguar në Tiranë, pasi kishin nevojë për oksigjenim.
“Zjarri përfshiu kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë në të katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji. Të gjithë pacientët e neurologjisë, kirurgjisë, janë zhvendosur. Ndërsa 5 qe kërkonin oksigjenim janë dërguar në Tiranë.
Evakuimi i të gjithë pacientëve u bë pasi u shkaktua një tym i madh që përfshiu katin e parë e deri në të katërt. Fillimisht kanë ndërhyrë rojet e spitalit, derisa kanë ardhur zjarrfikëset e Durrësit. Lajmërimi i parë erdhi në 00:20, ndërkohë që shkaktoi shumë panik te pacientët dhe të afërmit e tyre që ishin në spital”, tha drejtoresha e Spitalit.