Nga Alfred Peza

Në hapësirën shqiptare në Ballkan, po krijohet një kulturë e re që shkon përkundër normës demokratike, sipas të cilës partitë fituese të zgjedhjeve, përcaktojnë kryeministrin i cili udhëheq më pas procesin e formimit të qeverisë së re.

Sindroma e partive opozitare në Shqipëri, që humbën zgjedhjet e 2017 dhe pas kësaj kërkuan me çdo kusht e çmim që të impononin fitoren e pushtetit në tavolinë,- nëpërmjet manovrave brenda dhe jashtë sistemit politik të vendit,- duket se ka nisur që të infektojë edhe mjedisin politik të Prishtinës. Prej tri muajsh, duket sikur të gjitha lojërat dhe përpjekjet e aktorëve dhe faktorëve politikë përtej Lëvizjes “Vetëvendosje” (LVV) që i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, shkojnë në këtë linjë.

Nuk është çudi që mendja dhe dora e padukshme që po i luan të gjitha këto fije, -për ta bllokuar formimin e qeverisë së re në Kosovë,- sikundër përgjatë 2019 për të krijuar një ngërç politik në Shqipëri, të jetë e njëjtë. Edhe nëse nuk është e tillë, të dyja rastet duken si frymëzim e shkollë për njëra- tjetrën.

Ndryshimi mes asaj që ndodhi në Tiranë, pasi Partia Socialiste dhe Edi Rama fituan bindshëm me mbi 50% të mandateve të deputetëve të Parlamentit dhe rezultatit elektoral në Kosovë, është se Albin Kurti dhe LVV, fituan çerekun e votave të qytetarëve dhe vetëm 1 mandat deputeti më shumë se partia e dytë pas tyre, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Pavarësisht kësaj, nga ana kushtetuese, fituesi me çfarëdo rezultati gëzon të drejtën e krijimit të qeverisë së re.

Shkaku se përse PD, LSI dhe aleatët e tyre dolën nga Parlamenti e nuk u futën në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, nën moton “ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita” tashmë janë qartësuar. Dalja nga sistemi parlamentar e demokratik i vendit, synonte injektimin artificialisht nga lart të një krize politike në Shqipëri. Një krizë që detyronte arritjen e një marrëveshje që amnistonte krimet 30 vjeçare të pushtetit nga elita e vjetër dhe bllokonte e më pas zhbënte, reformën e re të drejtësisë.

Ndërsa në Kosovë të gjitha manovrat e LDK për të mos rënë dakord me Albin Kurtin, duket sikur synojnë bllokimin artificial të procesit të krijimit të qeverisë, nga frika se LVV dhe kryeministri i ri mund të krijojnë premisat për të zhbërë e më pas nxjerr në pension politik, establishmentin e vjetër që dominoi jetën politiko- shoqërore të Kosovës në këto 20 vitet e pasçlirimit.

E dallon lehtësisht këtë frikë të elitës së “vjetër” të Prishtinës, kur i sheh të vëprojnë të gjithë në sinkron në mënyrë të padukshme, por krejt të lexueshme.

E dallon më pas kur në mënyrë demonstrative, me emër e mbiemër bëjnë kërcënimet e tipit “John F. Kennedy ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por nuk ishte interes i shtetit amerikanë që të jetë President. Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtetit të Kosovës të jetë kryeministër. Albin Kurti i ka 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet.”

E dallon në media dhe rrjetet sociale, kur heroizojnë në mënyrë folklorike, “baca Ramushin” si garantin e vetëm të mos shitjes së Kosovës, të mos tradhëtisë ndaj çështjes shqiptare në Ballkan dhe që ia tregon qejfin jo vetëm shkjaut në Beograd por edhe miqve të tyre në Tiranë, e kështu me radhë.

Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, për fatin e mirë e ka zgjidhur herët këtë çështje. Ndaj kanë gati një dekadë që kanë rënë rehat. Sepse partia maqedonase që i fiton zgjedhjet, është e detyruar që të bëjë koalicion qeverisës, me partinë që fiton më shumë mandate përfaqësimi në Parlament, sesa partitë e tjera shqiptare.

Në Tiranë, ndryshe nga 2019, fillimi i vitit 2020 i ka gjetur partitë politike të opozitës, në përpjekjen e tyre të parë serioze për të gjetur një deriçkë “dinjitoze” për tu rikthyer nga atje ku ikën, një vit më parë. Shenjë e sigurtë se e kanë kuptuar që çdo rrugë tjetër, përtej pjesëmarrjes në zgjedhje dhe votës së sovranit, nuk të çon asgjëkundi. Kanë mësuar se rruga e rrugës, jo vetëm që nuk të jep pushtet, por të dobëson gjithnjë e më shumë. E për rrjedhojë, ajo e forcon fituesin legjitim të zgjedhjeve, akoma edhe më shumë në të ardhmen.

Përtej ngërçit ku po mundohen që ta fusin nëpërmjet lojrave të nëndheshme procesin e krijimit të qeverisë së re në Kosovë, e sigurtë është se herët ose vonë përgjatë këtij viti, ata që po tentojnë ti bëjnë gropën me artifice proceduriale fituesit të zgjedhjeve, do të shohin se nuk do arrijnë gjë tjetër, përveçse asaj që “fituan” humbësit edhe në Shqipëri.