Alfred Peza
Prej disa javësh në nivelet më të larta të politikbërjes europiane, po shtohen e forcohen zërat rreth idesë së hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, përpara Samitit të Zagrebit që do të mbahet në maj të këtij viti. Afati më optimist, vlerësohet që të jetë muaji mars. Këtë ide e theksoi në Berlin gjatë takimit me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, edhe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel. “Mbi të gjitha, ne duam të arrihet një marrëveshje në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet kanë arritur shumë. Ne do të punojmë tani që këto arritje, të marrin meritën e tyre, me një rezultat në mars”,- deklaroi ajo.
Por pas kësa, Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka habitur një pjesë të ndjekësve të tij në facebook, kur postoi foton e Ramës me Merkelin, duke përshëndetur angazhimin e përsëritur të Kancelares për çeljen e negociatave. Deri këtu gjithçka duket e pafajshme, për aq kohë sa nuk është lexuar fjalia e dytë në të cilën thuhet: “Zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, janë harta më e sigurt e rrugës europiane të Shqipërisë!” Për ata që nuk dijnë të shohin edhe përtej rreshtave të këtij postimi, shumëkujt mund ti shkojë ndërmend shprehja e njohur popullore; “i zoti e jep, por tellali se shet”. Që në këtë rast do të “përkthehej”: Kancelarja e Gjermanisë na thotë se do e merni çeljen e negociatave, por Kryetari i Shtetit tone nuk është dakord. Kjo shije mbetet, përderisa ai i kujton lideres së mazhorancës në Bundestag, që të bëjë kujdes se ne nuk i plotësojmë ende, kushtet që ajo na ka vendosur! Ky duhet të jetë ndryshimi mes retorikës përgjatë 2019, kur opozita nga njëra anë bëri gjithçka që Shqipëria të mos e merte çeljen e negociatave, e nga ana tjetër akuzonte mazhorancën se do të dështonte, me retorikën e 2020. Duke e pranuar në heshtje dështimin total të “rrugës së rrugës”, tani kanë dalë me teorinë e re. Duke përdorur tryezën e reformës elektorale për të fshehur dështimin e tyre, si Ilir Meta e Monika Kryemadhi ashtu edhe Lulzim Basha e Sali Berisha bëjnë sikur për “9 kushtet e Bundestagut” janë më të shqetësuar ata, sesa Kancelarja Merkel vetë.
Kaq mjafton për ti dhënë përgjigje edhe njëherë pyetjes nëse liderët tanë opozitarë, duan më shumë partinë, apo Shqipërinë! Më shumë kolltukun e tyre, apo integrimin e Shqipërisë. Më shumë dështimin e mazhorancës së Edi Ramës në këtë proces, apo të ardhmen europiane të qyetarëve shqiptarë. Sepse ata fshihen pas një rrethane të re, që po ndryshon në Bruksel. Duke kuptuar këtë, atëherë bëhet më e qartë se përse ajo që pritet të ndodhi në mars, nuk ka lidhje me hallin e liderëve tanë për “9 kushtet e Bundestagut”. Në 5 shkurt, pritet që BE të publikojë metodologjinë e re të zgjerimit, drafti i së cilës ndodhet në zyrën e Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Verheily. Ajo tregon se rruga e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE të kalojë përmes 5 grup- kapitujsh; Sundimi i ligjit, tregu i brendshëm, transporti, energjia dhe politika e jashtme. Më e rëndësishmja konsiderohet pika e parë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me hapjen e kapitujve 23 dhe 24 të drejtësisë, Shqipërisë i duhet të përgatisë Planet e Veprimit. Ekspertët thonë se Metodologjia parashikon që asnjë kapitull i ri nuk mund të hapet, nëse nuk përmbushen standardet paraprake. Sikundër ekziston mundësia, që të rihapeni kapitujt që mund të jenë mbyllur njëherë. Kjo u kërkua nga Franca në mbledhjen e Këshillit Europian, që u mbajt në 18 tetor 2019, kur Presidenti Emmanuel Macron “bllokoi” hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shpresa për të arritur një qëndrim unanim të 28 vendeve pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë pranverë qendron në ”ambicien e përbashkët të 28 vendeve të BE-së, që konsiderojnë, se e ardhmja e Ballkanit duhet të jetë drejt BE-së, për të vazhduar, zgjeruar punën e bashkëpunimit të ngushtë, për të inkurajuar reformat”, tha Charles Michel, Presidenti i Këshillit Europian gjatë vizitës së para pak ditëve në Tiranë. Strategjia e re e zgjerimit të BE në Ballkanin Perendimor dhe optimizmi i deritanishëm i liderëve europianë, nuk do të thotë se duhet të nisim të hedhim fishekzjarret që sonte në mesnatë. Përkundrazi. Kjo e bën mazhorancën, më të fokusuar për arritjen e qëllimit, deri në vendimarrjen finale. Sikundër kjo klimë optimiste, nuk duhet të nxisë diabolizmin e opozitës që të ndodhi e kundërta. Garancia që Merkel dha në Berlin, më shumë se triumf i mazhorancës, duhet lexuar si një ftesë për tellallët e opozitës, që të pushojnë së rëni deri në mars “daulleve të shiut”!