Pavarësisht pretendimeve të PD, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri mohon të ketë pasur ndërhyrje nga diplomatët e huaj për tryezën e përbashkët PD-PS-LSI, duke e quajtur një marrëveshje të mirëfilltë shqiptare. “Dua të theksoj dicka, kjo është marrëveshje e mirëfilltë shqiptare, nuk ka pasur asnjë trysni ndërkombëtare që palët me patjetër të kishin marrëveshje, nuk ka patur asnjë rol ndërkombëtar që palët apo ndërkombëtarët të merrnin rol udhëheqës në këtë proces, përkundrazi kanë inkurajuar dialogun. Ajo cfarë u arrit është dialog i përbashkët, një reflektim i secilës palë për të gjetur mënyrë komunikimi për reformën zgjedhore”, tha Gjiknuri.
Takimi mes PD-PS është arritja e konsensusit politik për të dalë në një draft të vetëm, por për Damian Gjiknurin bashkëpunimi me dy opozita, një në parlament dhe një jashtë këtij institucioni është i vështirë. “Kemi një opozitë që është në Kuvend dhe që ka vota, kemi një opozitë që ka vota popullore, njëra ka mandate kuvendi, tjetra përfaqëson elektorat të caktuar, kemi dy opozita me të cilat do na duhet të bashkëpunojmë me të dyja për të gjetur kompromisin e përshtatshëm. Natyrshëm është më e vështirë se në mënyrë bilaterale por politika është këtu për të gjetur kompromise”, shtoi Gjiknuri.
Por edhe nëse nuk do të kenë mbështetjen e të gjitha palëve, mazhoranca është e vendosur për të siguruar votat e mjaftueshme për kalimin e reformës zgjedhore. “Unë nuk besoj se politika duhet të bëhet aq kokforte sa të vendosë kushte që po nuk miratove këtë, nuk të miratoj reformën zgjedhore. Pastaj ne natyrshëm si mazhorancë do bëjmë gjithcka kemi në dorë për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, me të gjitha ato aftësi apo kapacitete, qoftë vota apo administrative që ka mazhoranca”, tha Gjiknuri.