Me kapërcimin e kufijve të Kinës të virusit vdekjeprurës, njerëzit në të gjithë botën janë mbërthyer nga paniku. Edhe evropianët tani i janë drejtuar farmacive për blerjen e maskave mbrojtëse, në përpjekje për t’u mbrojtur nga virusi i frikshëm. Por, në një koincidencë të pakëndshme, një grua italiane zbuloi se ajo kishte blerë një maskë që vinte pikërisht nga Wuhani, epiqendra e virusit.
Gruaja e quajtur Lara, që punon në aeroport në Romë, e ka treguar këtë në Twitter dhe thotë se ajo ishte pajisur me maskën e saj në kuadër të situatës por pasi e kishte blerë kishte vënë re një detaj të rëndësishëm në paketim ku thuhej se produkti vinte nga Wuhani, në Kinë. Maska ishte prodhuar në prill të vitit të kaluar, kohë përpara shpërthimit të virusit dhe ishte shpërndarë nga një kompani italiane farmaceutike.
Vetë kompania konfirmon se maskat janë blerë që më 28 janar dhe porositë për to zakonisht bëhen muaj më parë. Por shpërthimi i koronavirusit ka bërë që farmacitë në të gjithë Kinën të kenë tani mangësi për veten e tyre, çka do të thotë që nuk ka më shpërndarje maskash jashtë Kinës, madje edhe ato të ardhura po kthehen mbrapsht. Rastet e konfirmuara me koronavirusin në Evropë po rriten me dy në Itali dhe dy në Britaninë e Madhe të konfirmuara vetëm të premten, pas atyre në Francë, Gjermani dhe në Finlandë.