Kreu i njësisë “Forca e Ligjit”, Artan Shkëmbi, është zyrtari i parë i policisë që pranon se do të hyjë në garën për drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Shkëmbi ka pranuar për TCH se po përgatit dokumentacionin për t’iu përgjigjur thirrjes për t’u bërë pjesë e specialëve që do hetojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në garë flitet se do hyjë edhe shefi i antiterrorit, Gledis Nano.
Prokuroria e Posaçme, SPAK, hapi garën për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe pretendentët kanë afat deri në datën 30 janar për të dorëzuar formularët. Në këto formularë konkurrentët duhet të raportojnë veç CV-së edhe të dhëna personale sikurse ngjyra e syve, ngjyra e flokëve dhe pesha.
Pak ditë më parë kreu i SPAK, Arben Kraja, tha se Byroja Kombëtare e Hetimit që do të bashkëpunojë me Prokurorinë Antikorrupsion nuk është një punë vetëm për burrat, por edhe për femrat. Në mesazhin e drejtuar garuesve, Kraja mbajti parasysh barazinë gjinore.