Komisioni Europian i qëndron besnik rekomandimeve për hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke shprehur besimin për një vendim pozitiv nga Këshilli përpara Samitit të Zagrebit në maj. Në përgjigje të interesimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, një zëdhënëse e Komisionit Europian bëri të ditur detaje edhe nga metodologjia e re e zgjerimit, ndërsa deklaroi se “Komisioni Europian do të paraqesë në javët në vazhdim propozimet për ta bërë procesin e pranimit më efikas, më të besueshëm dhe më dinamik”. Për ATSH-në, zëdhënësja e KE-së nënvizon se “qëllimi ynë nuk është të riformulojmë procesin e zgjerimit, por ta forcojmë atë”.
“Paralelisht me pajtimin për metodologjinë e forcuar, ne presim që shtetet anëtare të bien dakord për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne u kërkuam të dyja vendeve të bënin shumë, ato i plotësuan kriteret dhe vazhdojnë reformat, kështu që tani duhet të veprojmë dhe t’i mbajmë premtimet tona”, tha ajo. Zëdhënësja tha gjithashtu për ATSH-në se “Komisioni po punon në tri pista, kur bëhet fjalë për zgjerimin dhe marrëdhëniet tona me partnerët tanë ballkanikë. Së pari, në javët e ardhshme, ne do të bëjmë propozime për t’i bërë negociatat e pranimit më efikase, më të besueshme, më të parashikueshme, më objektive, më politike dhe më dinamike. Qëllimi ynë nuk është të riformojmë zgjerimin e BE-së, por të forcojmë dhe modernizojmë procesin”.
“Paralelisht, nënvizoi ajo për ATSH, “Komisioni u qëndron besnik rekomandimeve për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe shpresojmë për një vendim pozitiv nga Këshilli përpara Samitit të Zagrebit në maj, me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor”. “Në përgatitjet për Samitin e Zagrebit, Komisioni, gjithashtu, do të paraqesë një plan zhvillimi ekonomik për rajonin. Qëllimi ynë është të intensifikojmë praninë tonë në Ballkanin Perëndimor dhe të ndihmojmë në mbylljen e hendekut të zhvillimit ekonomik midis nesh”, tha ajo për ATSH-në. Në lidhje me përmbajtjen e raportit për metodologjinë e re për zgjerimin, zëdhënësja e KE theksoi për ATSH se, “Komisioni do të paraqesë propozime brenda javëve në vazhdim për një metodologji të rishikuar si një kontribut në debatin e vazhdueshëm se si të forcohet efikasiteti i procesit të zgjerimit”.
“Komisioni nuk ka si qëllim që të riformulojë procesin e zgjerimit, por për t’i bërë negociatat e pranimit më efikase, më të besueshme dhe më dinamike”, tha ajo. “Objektivi kryesor për të modernizuar metodologjinë është që ta bëjë këtë proces më të besueshëm, më të parashikueshëm dhe më objektiv për të dy palët, për BE-në, shtetet tona anëtare dhe për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, duke marrë parasysh shqetësimet e ngritura veçanërisht nga disa prej shteteve tona anëtare”, shtoi ajo për ATSH. Ne gjithashtu, tha zëdhënësja e KE-së për ATSH se, “duhet të sigurohemi që, nëse njëra palë plotëson atë që i është kërkuar, atëherë edhe pala tjetër duhet ta mbajë fjalën e dhënë. Ne gjithashtu dëshirojmë që, në një fazë të hershme, t’i shoqërojmë dhe t’i integrojmë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor në politikat kryesore të BE-së, si Marrëveshja e Gjelbër, infrastruktura dhe dixhitalizimi, diçka që mund të jetë me përfitim për të dyja palët”.
Në lidhje me raportin i Komisionit Europian për Shqipërinë, zëdhënësja e KE shtoi se, “vendet po vazhdojnë në rrugën e tyre të rëndësishme të reformave. Komisioni do të përditësojë vendet anëtare mbi zhvillimet e reja respektive”. “Komisioneri Varhelyi ka kujtuar në vizitën e tij të fundit në Shkup dhe Tiranë rëndësinë e vazhdimit dhe zbatimit të reformave. Në veçanti, ai theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit të Prokurorëve Publikë nga Parlamenti në Maqedoninë e Veriut dhe miratimin në kohë të Reformës Zgjedhore në Shqipëri”, tha ajo. Gjithashtu ajo shtoi se, “forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është gjithashtu një kusht kryesor për çdo vend kandidat që të përparojë në rrugën e tij drejt BE-së”.