Ante Rebic ishte protagonisti absolut për skuadrën e Milanit në triumfin 3-2 ndaj Udineses. Kroati me dygolshin e tij i dha fitoren ekipit kuqezi. Pas ndeshjes në një prononcim për “DAZN”, Rebic u shfaq i përmbajtur. 26 vjeçari theksoi se skuadra është plotësuar me futbollistë me karakter si: Ibrahimoviç, Kjaer dhe Begoviç. Pavarësisht “dhuratës” së madhe që i bëri tifozëve të Milanit sot, Rebiç shton se ekipi duhet të vazhdojë të grumbullojë sa më shumë pikë.

“Jam i kënaqur sepse, i pata mundësitë e mia dhe shënova. Në takimet e fundit, kam treguar se çfarë mund të japë nga vetja, por rëndësi mbi të gjitha kanë 3 pikët. Kemi marrë lojtarë me personalitet si: Ibrahimoviç, Kjaer dhe Begoviç, që po na ndihmojnë shumë. Tani po i shikoni rezultatet. Nuk dua të flas për golat e mi, duhet të mendojmë për çdo ndeshje në vazhdimësi dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë”, Rebic shënoi sot kundër Udineses 2 golat e parë me Milanin që kur u transferua nga Eintrahti i Frankfurtit.