Kryeveprën e vërtetë Lacio nuk e bëri në Arabi, por në zyrën e punës, në telefon, në selinë e vet, duke bërë negociata. Talente të blerë lirë, vlera e të cilëve rritet gradualisht, shumëfishohet dhe më pas të zëvendësuar si duhet në rast shitjeje, pa e dëmtuar skuadrën. Një sistem që funksionon, i ngritur vit pas viti nga Lotito dhe Tare, të cilët tani po marrin frytet e punës së tyre. Mjafton të marrësh në konsideratë 11-shen titullare të finales me Juventusin, sa janë paguar në fillim dhe sa vlejnë tani: 4 herë më shumë.
1.Tomas Strakosha
Ishte pa kontratë pas largimit nga Panioniosi në vitin 2012. Igli Tare e mori portierin e Kombëtares kuqezi për pak euro, duke fituar një derbi të merkatos. E kërkonte edhe Roma, por Tare shfrytëzoi miqësinë me babanë e tij, Foton, shokun e skuadrës te Shqipëria. Pasi kaloi me sukses provimin te të rinjtë, duke qenë në ekip bashkë me Kataldin e Keita, si dhe një vit huazim te Salerno, u kthye në vitin 2016, kur ishte portieri i tretë, pas Bixarrit dhe Marketit, të cilët i parakaloi pak muaj më pas. Kushtoi 75 mijë euro, sot vlen 20-25 milionë
2.Stefan Radu
“Lacio bën dy goditje: Radu dhe Kardaçio”, titullohej “Gazzetta dello Sport” më 27 janar 2008. I dyti nuk erdhi kurrë nga Uruguaji, ndërsa rumuni u kthye në një kolonë të Lacios. U ka kushtuar bardhekaltërve rreth 5.5 milionë euro. U ble edhe falë këshillës së Bergodit, që e kishte stërvitur në Rumani dhe e krahasonte me Krishiton. Është rumuni i parë në historinë e Lacios dhe në 12 sezone është një nga lojtarët më konstantë. Sot me aq euro, një lojtar të rendimentit të tij, nuk mund ta blesh. Kushtoi 5.5 milionë euro, sot vlen 3 milionë për shkak të moshës
3.Françesko Açerbi
Dy vjet më parë, kur po shitej De Vrij, Lotito garantonte tifozët: “Do të marrim një më të fortë”. Një pistë ishte ish-lojtari i Bajernit, Badshtuber, tjetra Açerbi, për të cilin thuhej se nuk ishte për klube të nivelit të lartë pas zhgënjimit te Milani. Lotito mori pikërisht atë nga Sasuolo për 10 milionë euro. Shumë? Jo, nëse kemi parasysh përvojën dhe përshtatjen në role të ndryshme, si në mbrojtjen me 3, ashtu edhe me 4. Përveç kësaj, Açerbi është lojtar që nuk mungon në asnjë ndeshje për dëmtim. Ka bindur plotësisht për një vit e gjysmë dhe tani vlen më shumë.
Kushtoi 10 milionë euro, sot vlen të paktën 15 milionë
4.Luiz Felipe
Një rast emblematik, që shpjegon pse sistemi i Lacios duhet të studiohet dhe duhet të riprodhohet. Ia sugjeruan Tares dhe ai e ndoqi nga afër. U bind për pak kohë për potencialin e tij. Ku luante? Në Serinë D braziliane, me Ituano. U ble për 850 mijë euro dhe u huazua në Salerno për një vit, pastaj me rikthimin në Romë iu imponua stafit teknik me lojën e tij. Tani duhet një çek me të paktën tetë shifra për ta blerë. Kushtoi 850 mijë euro, sot vlen 10-15 milionë
5.Manuel Laxari
Në verë e donin shumë skuadra, duke parë paraqitjen e tij mjaft të mirë me Spalin, por Igli Tare, i cili e ndiqte prej kohësh në Serinë B, pasi i përshtatej lojës së trajnerit Inzagi, i parapriu situatës dhe e bleu për 7 milionë, plus Murxhian. Një transferim prej 11 milionësh në total. Tani është në formën më të mirë, vrapon pa fund në krah dhe kroson në zonë. Lojtarë anësorë të kompletuar si ai janë të paktë dhe për ta blerë në këtë moment duhet dyfishi. Kushtoi 11 milionë euro, sot vlen 18-20 milionë
6.Luis Alberto
Një kryevepër absolute e merkatos. Një lojtar anësor driblues, një premtim i tre klubeve të mëdha, Seviljes, Barcelonës dhe Liverpulit, por pa shpërthyer asnjëherë. Në Angli e konsideronin shumë të brishtë, jo në nivelin e lojtarëve si Suarez dhe Koutinjo dhe për dy vjet e dhanë në huazim. Lacio e bëri të vetin për 5 milionë euro pa pasur thuajse fare konkurrencë. E përgatiti më mirë taktikisht dhe sot është një nga më të mirët e Serisë A. Vlen të paktën 8 herë më shumë. Kushtoi 5 milionë euro, sot vlen 40 milionë
7.Sergej Milinkoviç-Saviç
Në korrik të 2015-ës Serbia sapo kishte fituar Botërorin e 20-vjeçarëve dhe ylli i saj, Milinkoviç-Saviç, ishte i Fiorentinës. Telekamerat e inkuadruan teksa hynte në selinë e klubit nga Firence, por në fakt nuk firmosi. Një ditë më pas zgjodhi Lacion. “Isha shumë i qetë, – deklaroi në atë kohë Tare, – më kishte dhënë fjalën. Më kishte thënë një natë para se do të shkonte në Firence për respekt, pasi do të bashkohej me ne”. Me 10 milionë për Genkun u mbyll një nga marrëveshjet më të mëdha të epokës “Tare”, për duelin e fituar dhe për atë se sa vlen sot serbi. Është “mall” për klubet e nivelit të lartë dhe kur shet aty, çmimi rritet. Kushtoi 10 milionë euro, sot vlen 70 milionë
8.Lukas Leiva
Edhe në këtë rast një goditje e madhe në shtëpinë e Liverpulit. Emri i tij te Lacio përmendej çdo verë, por kalimi u konkretizua vetëm kur duhej marrë patjetër zëvendësuesi i Lukas Bilias. Te Liverpuli e mori Benitez, Klop e provoi pa sukses ta bënte mbrojtës qendre dhe më pas dha “ok”-in për shitjen e brazilianit. Te Lacio solli jo vetëm eksperiencë, por edhe inteligjencë në mesfushë. Ka treguar se edhe në moshën 33-vjeçare këmbët janë ende në gjendje të mirë. Nëse dikush kërkon ta blejë, nuk vlen asnjë euro më pak nga sa e mori Tare.Kushtoi 5.6 milionë euro, sot vlen 5-7 milionë
9.Senad Luliç
Erdhi në Itali në vitin 2011 nga Jang Bojsi për vetëm 3 milionë euro. I besoi trajneri Petkoviç, i cili shihte te boshnjaku zëvedësuesin e Kolarovit. Po të bësh ca llogari, i bie që ka qenë shumë më shumë: kapiten, lider, i pandalshëm, furnizues me krose, i përshtatshëm për çdo skemë loje dhe i aftë për të zgjidhur ndeshje të veçanta. Gati për të goditur edhe në sfida të rëndësishme si ajo ndaj Juventusit në Superkupë. Nuk ka një çmim për ta vlerësuar tani, por e sigurt është se nuk zbret nga vlera e blerjes. Kushtoi 3 milionë euro, sot vlen 3-4 milionë, sepse është 33 vjeç
10.Hoakuin Korrea
Një lojtar i përkëdhelur i Sebastian Veronit te Estudiantes, kaloi te të rinjtë e Sampdorias, nuk mundi të shkëlqente në Xhenoa dhe u shit te Sevilja, ku pati disa shkëndija të një lojtari të madh, por nuk pati vazhdimësi. Verën e vitit të kaluar erdhi te Lacio. Trajneri Inzagi kërkonte Papu Gomezin ose Lukas Perezin, por në fund u ble Korrea për 16 milionë euro. Tani është konstant në lojë dhe merret vesh shumë mirë me Imobilen. Vlen të paktën dyfishin. Kushtoi 16 milionë euro, sot vlen 30-40 milionë
11.Çiro Imobile
Një “Xhokonda” e blerjeve. I konsideruar i humbur pas dështimit me Borusia Dortmundin dhe Seviljen, Lotito e riktheu në Itali për 8.5 milionë, për të zëvendësuar Mirosllav Klosen. Nuk ishte një bast, sepse Imobile ka ditur gjithmonë si shënohet, mjafton t’i japësh thellësinë që i nevojitet në lojë. Sot shënon praktikisht një gol për ndeshje dhe kjo mjafton për një sulmues qendre. Kushtoi 10 milionë euro, sot vlen 60-70 milionë (SI)