Nga Mero Baze/
Ilir Meta po përpiqet të riformatohet si politikan nacionalist. Siç e ka thënë dhe vetë, me sa duket nuk shikon më shans të marrë edhe më tej mbështetje nga shqiptarët, përmes LSI-së. Po përpiqet të krijojë profilin e një politikani nacionalist, sovranist kundër Perëndimit, anti-emigracion, dhe të krijojë një parti të re, mbështetur mbi filozofinë e Internacionales së autokratëve lindorë.
Nuk ka ndonjë gjë të keqe. Shqipëria ka boshllëk, edhe pse nuk ka nevojë, për politikanë të tillë. Por nuk është kurrë vonë të provosh diçka.
Kohët e fundit nuk di pse është fokusuar tek një nga plagët reale të shoqërisë sonë, por dhe çdo vendi lindor, atë të ikjes së popullsisë në emigracion drejt Perëndimit.
Gazetari më i përkushtuar britanik për çështje ballkanike, Tim Judah, ka bërë një sërë analizash dhe emisionesh në shtypin britanik rreth shpopullimit të Ballkanit, duke nisur nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria, por dhe vende të BE, si Bullgaria e Rumania. Shifrat janë vërtet të këqija.
Të gjitha vendet janë në alarm për këtë gjë. Arsyeja kryesore është pabarazia ekonomike mes qytetarëve të këtyre vendeve dhe Europës, dhe mbi të gjitha, mundësia që të ikin në Europë.
Por kanë peshën e vet dhe keqqeverisjet lokale.
Konteksti në të cilën Ilir Meta po përpiqet ta vendosë këtë problem, si kandidat për politikan, tashmë i djathtë nacionalist, është tek keqqeverisja.
Nuk kam ndërmend të vë në peshore këtë gjë me arsyet e tjera që kanë shqiptarët për të ikur nga vendi, por e besoj se në Shqipëri, sidomos brezi i ri, i rritur në një periudhë të artë të informacionit dhe mundësisë për ta ndërtuar jetën edhe në Europë, ka prioritet ikjen nga vendi.
As Shqipëria dhe as ndonjë vend i rajonit nuk kanë gjetur dot një politikë magjike t’i mbajë këtu ata që duan të ikin. Edhe Kosova, që kishte shpresë se këtë gjë do ta zgjidhte Albin Kurti, ka pak shpresa.
Edi Rama tentoi një projekt të sigurimit të shtëpisë së parë për çiftet e reja, garantuar nga kreditimi i shtetit, por duket se hasi në bllokadë financiare të institucioneve ndërkombëtare që na mbikqyrin.
Ka disa iniciativa të tjera të vogla, që nuk është se kanë ndonjë peshë reale, siç janë shpërblimet për fëmijët e lindur.
E vërteta e hidhur është, se ne nuk kemi shanse t’i ofrojmë brezit të ri, një shans për t’u ndjerë i sigurtë për të ardhmen në vendin e tij, në një vend ku pabarazia sociale është e madhe dhe shanset e barabarta, janë në zhdukje.
Dhe këtu, natyrisht që ka rol edhe keqqeverisja.
Në këtë aspect, Ilir Meta është politikani më i vjetër në pushtet në Shqipëri. Ka prej vitit 1992 deputet në Parlamentin shqiptar, kryeministër, zëvendëskryeminisër, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, dhe në fund dhe president. Është ikonë e përfaqësimit të klasës politike, që ka dështuar në këtë aspekt.
Dhe pikërisht për këtë, ka një mundësi të ngjallë shpresë tek të rinjtë që nuk shikojnë shanse në këtë vend, qoftë dhe për shkak të tij.
Mund të japë dorëheqje nga politika, si një gjest i vullnetit të mire, për t’u hapur rrugën më të rinjëve.
Është e sigurt që do të ngjallë shpresë. Siç thoshte dikur një komentues rreth deklaratës së zonjës Kryemadhi, që po ashtu shprehte këtë shqetësim: “Ik ti, se dhe arbëreshët kanë për t’u rikthyer në këtë vend.”
Nuk besoj se do ta zgjidhim problemin e të rinjëve vetëm me këtë ikje, por një farë kontributi pozitiv do të jetë.