“Fakti është se sot shqiptarët kanë një spital kirurgjie si gjithë Europa”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar investimit më të fundit të qeverisë me vlerë 8.8 milionë euro në spitalin e ri kirurgjikal “Frederik Shiroka” në QSUT.
Rama tha se “kush ka sy le të shikojë”, por përtej kujtdo që nuk do të shikojë ky është fakt. “‘Kush ka sy le të shikojë’ por përtej kujtdo që nuk do të shikojë, fakti është se sot shqiptarët kanë një spital kirurgjie si gjithë Europa”, tha Rama. Spitali i ri kirurgjikal “Frederik Shiroka” në QSUT ka 7 salla moderne operacioni për kirurgjinë e përgjithshme, kirurgjinë speciale dhe urologjinë.
Spitali ka 120 shtretër dhe dhoma me standardet më të mira. Ai është i pajisur me aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë, me njësi terapie intensive me kushte dhe pajisje bashkëkohore. “Këtu është një ambient që edhe në shtëpi më mungon”, tha një pacient. “Kushtet janë të shkëlqyeshme, dhomat janë të shkëlqyeshme, me televizor me rafte me gjithçka”, tha një tjetër. Një tjetër pacient i shtruar u shpreh se “u bëra 60 vjeç dhe këtë ambient se kam parë ndonjëherë”.
Me laparoskopi moderne në secilën prej sallave të kirurgjisë së përgjithshme, kirurgjisë speciale dhe urologjisë, një mjek i këtij spitali u shpreh se “ky është një investim kolosal që ka bërë shteti dhe Ministria e Shëndetësisë”. “Mjekët janë të kënaqur, pacientët po ashtu. Sallat e operacionit, pajisjet, janë të gjitha të reja. Të gjitha këto kushte të reja padiskutim që do të ndikojnë në cilësinë e shërbimit ndaj të sëmurëve”, tha mjeku. Investimi për ndërtimin e spitalit të ri kirurgjikal kap vlerën 8.8 milionë euro.