Të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë njohjen dhe njësimin e diplomave apo titujve akademikë të marrë jashtë vendit, duhet të aplikojnë online në portalin e-albania. Ditën e djeshme ka hyrë në fuqi udhëzimi Nr. 30, datë 30.12.2019 “Për disa ndryshime në udhëzimin nr. 17, datë 3.8.2016 “Për procedurat dhe kriteret për njohjen dhe njësimin në Republikën e Shqipërisë, të diplomave, certifikatave, gradave shkencore dhe titujve akademikë të lëshuara nga institucionet e huaja të arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara, jashtë vendit”, i ndryshuar”.

Sipas udhëzimit aplikimi për njohjen dhe njësimin e kualifikimeve që i përkasin nivelit 5 deri në 8 të Kornizës Shqiptare apo Evropiane të Kualifikimeve, si dhe të titujve akademikë kryhet vetëm on-line nëpërmjet portalit e-albania. Dokumentacioni shoqërues i kërkuar duhet të depozitohet detyrimisht i skanuar gjatë aplikimit online.

“Aplikimi për njohjen dhe njësimin e certifikatave dhe diplomave universitare të nivelit 5 deri në nivelin 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK) dhe Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (KEK), kryhet online sipas procedurës së mëposhtme: a) formulari i aplikimit plotësohet online në portalin e-albania. Këtij formulari i ngarkohet në format elektronik (PDF), dokumentacioni i parashikuar. b) diploma/certifikata, ose dokumenti zyrtar përkatës në vendin e origjinës ekuivalent me diplomën që vërteton përfundimin e studimeve, kopje e njësuar me origjinalin, si dhe e përkthyer në gjuhën shqipe nga përkthyes të licencuar në Republikën e Shqipërisë, apo nga përkthyes të licencuar në vendin e origjinës; c) lista e notave dhe/ose suplementi i diplomës (nëse ka), të njësuar me origjinalin, si dhe të përkthyer në gjuhën shqipe nga përkthyes të licencuar në Republikën e Shqipërisë, apo nga përkthyes të licencuar në vendin e origjinës; d) kopje e kartës së identitetit ose e pasaportës (vetëm për shtetasit e huaj); e) mandatpagesa ose konfirmimi i pagesës online.”,-theksohet në udhëzim.

Ndërkohë në rrugë postare (format hard-copy) pas kryerjes së aplikimit on-line, paraqitet një kopje e diplomës/certifikatës bashkë me listën e notave ose suplementin e diplomës (nëse ka), të njësuara me origjinalin, si dhe të përkthyera në gjuhën shqipe nga përkthyes të licencuar në Republikën e Shqipërisë, apo nga përkthyes të licencuar në vendin e origjinës, shkruan gsh.

Dokumentet

Aplikimi për njohjen e titujve akademikë “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”, kryhet online sipas procedurës së mëposhtme:

a) formulari i aplikimit plotësohet online në portalin e-albania. Këtij formulari i ngarkohet në format elektronik (PDF), dokumentacioni i parashikuar

b) dokumenti i fitimit të titullit akademik, kopje e njësuar me origjinalin si dhe e përkthyer në gjuhën shqipe nga përkthyes të licencuar në Republikën e Shqipërisë, apo nga përkthyes të licencuar në vendin e origjinës.

c) diploma e studimeve pararendëse universitare dhe/ose vërtetimi i njësimit të diplomës i lëshuar nga institucioni përgjegjës;

d) vërtetimin e regjistrimit të titullit akademik në databazë në zbatim të kuadrit ligjor të vendit përkatës;

e) Curriculum Vitae; f) fotokopja e kartës së identitetit apo pasaportës (për shtetasit e huaj);

g) deklarata/skeda e nënshkruar në të cilin të jepet informacion, për: i. eksperiencën akademike në mësimdhënie;

ii. aktivitetin shkencor – lista e artikujve/botimeve shkencore, pjesëmarrje në simpoziume, konferenca, kongrese shkencore të shoqëruar me titujt e materialeve të paraqitura;

iii. botime të punimeve shkencore në organe shkencore ndërkombëtare.
h) mandatpagesa ose konfirmimi i pagesës online.