Nga Artur Ajazi
Në Jug të Shqipërisë, për burrat që merren gjithë kohës me llafe katundi, thonë “jeni bërë si gratë e liga”. Dhe është mëse e vërtetë kjo për pjesën dërrmuese të ish-opozitaristëve, por edhe për ata që hyjnë e dalin prej andej me “duart” plot. Prej ditësh nga zyrat e SHQUP-it, ka nisur “operacioni” opozitar për gjoja denoncimin e “kryebashkiakëve me të kaluar kriminale”. Një parti e cila ka plot e plot gjëra të këtij lloji, që i duhen dekada për tu vetpastruar nga fenomene të tilla, ka ngritur sqepin, dhe akuzon kush ti dalë përpara. Nga dhomat e errëra të bodrumeve të SHQUP-it, edhe dje dolën të tjera xhevahire, që lidheshin me “filmime dhe foto origjinale” ndaj një tjetër kryebashkiaku. Këtu nuk është puna dhe halli të marrësh në mbrojtje asnjë prej tyre, sepse seicili e ka gojën dhe mundësinë ta bëjë atë. Por ajo që bëjnë prej 6 vitesh “gratë e liga” dhe gojët e liga në SHQUP, nuk është as opozitë, as denoncim, dhe dekriminalizim, por thjesht një lojë e dikurshme, të cilën e bënin fare mirë ish-anëtarët e partisë, apo dhe ish-këshilltarët e lagjeve që paguheshin si 1200-dësha.
E ndërsa Shqipëria ka marrë prej disa ditësh presidencën e OSBE, e ndërsa kryeministri Rama dhe ministri Jashtëm në detyrë zoti Cakaj, kanë nisur intensivisht afirmimin e vendit si factor stabiliteti në rajon dhe më gjërë në kuadrin e nismave për paqe, në Tiranë, ish-opozita e vjetër merret me llafe katundi. Duke gërrmuar thellë në qytete dhe province, duke porositur, pronotuar dhe “ofertuar” persona fare të zakonshëm për gjetjen e ndonjë “ceni në biografinë” e gjithkujt, Partia Demokratike ka harruar përse ekziston. Ka harruar përse është krijuar, ka harruar se ka qeverisur, ka harruar se ka shkatërruar shtetin, ka harruar se pasojat e akteve kriminale nga armët e depove të 1997 janë ende edhe sot si shkaku i saj, ka harruar se prej 1 viti ka braktisur institucionet dhe nuk ka përfaqësues të elektoratit të saj, ka harruar se vendi nuk mori “OK” për hapjen e negociatave me BE pikërisht nga faji i tyre. Dhe përpos këtyre, dhe shumë arsyeve të tjera, në SHQUP, ata që nuk ndalen janë pikërisht “gratë e liga”.
Ata kanë bërë pakt me të keqen, ata nuk e duan paqen dhe qetësinë, ata nuk duan progresin dhe integrimin, ata duan rrumpallën, ata duan dhe kërkojnë anarshinë, ata nuk duan përfaqësimin institucional por duan ta bëjnë politikën rrugëve. Duke sulmuar gjithkënd, institucione dhe individë, duke sulmuar më së shumti drejtësinë, synimi është natyrisht krijimi i kaosit , dhe rikthimi anarshisë. Shqiptarët janë dëshmitarë të ngjarjeve të rënda që u shkaktuan përgjatë vitit 2019, pikërisht nga gojët dhe “gratë e liga” që për pak , e kthyen vendin në katrahurën e 1997. Vendi ka sot, më shumë nevojë për solidaritet, dashuri, zhvillim ekonomik dhe integrim në jetën europiane, aq më tepër në një situatë të tillë, ku mijëra shqiptarë presin ndërtimin dhe rindërtimin e banesave dhe objekteve sociale. Të thellosh krizën dhe problemet e jetike të një populli, është çmënduri politike. Ata që hiqen si “qelibar” dhe konseguent në zbatimin e ligjit, kanë harruar se dikur fshinin tualetet me vendimet e drejtësisë. Kaq ja vlen, që të paktën të mos merren kurrë seriozisht.