Joshja është një art që ushqehet me dëshirë dhe kreativitet. Kulturalisht, joshja nuk ka të njëjtin kuptim për femrat dhe meshkujt. Për të parat, është konsideruar gjithmonë një mjet për të fituar “partnerin më të mirë”. Për meshkujt nuk është gjë tjetër, veçse një mjet për të ushtruar narcizmin dhe egon e tyre për të treguar bukurinë dhe forcën te shumë femra. Por për çiftet e konsoliduara, joshja shërben për ta bërë lidhjen më pikante.
Por a ekziston me të vërtetë sot, t’i vish rrotull dikujt? Dhe çfarë përfaqëson?
Sipas disave, joshja e lidhur me inteligjencën gradualisht po zhduket. Kjo do të thotë, dhe kemi prova të vazhdueshme rreth nesh, që investojmë shumë më tepër në aspektin fizik dhe në nevojën për t’u kuruar që të dukemi sa më mirë, se sa për karakterin dhe aftësinë e të arsyetuarit duke përdorur trurin. Megjithatë, sa i takon aspektit fizik edhe mund të “mashtrojmë”, ndërsa në atë intelektual, jo. Ironia, inteligjenca, përkujdesja, janë elementë thelbësorë që duhen vënë në praktikë kur josh një person tjetër.
Etologjia, e cila studion karakteret dhe zakonet e njerëzve, ka treguar se në këtë pikë janë femrat ato që udhëheqin lojën. Pra, në përgjithësi është mashkulli ai që duhet t’i tregojë një gruaje që i ka të gjitha kartat në rregull për ta joshur. Jo vetëm duhet të dijë të presë dhe të mos përfshihet nga sjellje të nxituara, por është e nevojshme edhe të masë siç duhet artin e heshtjes, të fjalëve dhe sinjaleve të trupit. Nëse më pas joshja ka përfunduar mirë dhe çifti tashmë është i konsoliduar, dhe janë së bashku prej shumë kohësh, atëherë, këtu, paradoksalisht vjen edhe pjesa e vështirë.
Në fakt, nuk është e vërtetë ajo që shumë mendojnë për çiftet që kanë shumë kohë bashkë. Thuhet se dëshira, pas pak kohësh, shuhet, që dashuria bëhet vetëm një ndjenjë e thjeshtë përditshmërie dhe zakoni. Nuk ka gjë më të gabuar! Nëse ka interes për të mbajtur gjallë një marrëdhënie, joshja duhet të veshë gjithmonë një rol thelbësor.
Të joshësh ditë pas dite pak më shumë njeriun që ju qëndron pranë, është bazike për të zhvilluar një marrëdhënie në mënyrën më të mirë të mundshme. Të qenit në vendnumëro është e dëmshme në këtë këndvështrim. Të joshësh partnerin me gjeste që nuk i pret, vëmendje të vogla a ndoshta edhe me fjalë që i kujtojnë ndjenjat tuaja kundrejt tij, është ajo që e bën një çift të jetë jetëgjatë. Dhe kjo duket më së shumti e vështirë kur ai që ju njeh prej kohësh, njeh edhe veset, virtytet si dhe defektet tona. Pikërisht në përditshmëri, ndoshta në rutinën e mërzitshme ku jemi zhytur, duket zotësia e një joshësi apo joshëseje. Është mirë të mbani parasysh të mos i shuani asnjëherë aftësitë tuaja joshëse.