Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, ka thënë se fiziku i Xherdan Shaqirit është ndryshe nga i çdo lojtari tjetër, që ka parë ndonjëherë. Shqiptari, i njohur për shtatshkurtësinë plot me muskuj, ka luajtur një rol periferik te “Reds” këtë sezon, për shkak të lëndimeve të lehta dhe formës së sulmuesve të tjerë të klubit. Të dy këto faktorë e kanë kufizuar aktivizimin e tij me kampionët e Europës në fuqi. Shaqiri ka shënuar vetëm një gol në nëntë ndeshje në total, të luajtura deri më tani.
Shqiptari i kombëtares së Zvicrës ka humbur dy ndeshje nga dëmtimi, ndërsa Klopp thotë se ka të ngjarë të humbasë edhe duelin e ditës së diel. Trajneri gjerman e kupton zhgënjimin e Shaqirit me dëmtimin e tij të fundit, i cili është relativisht i vogël, por nuk ka arritur të përmirësohet sa duhet për ta hedhur në fushë: “Dëmtimi nuk ishte i madh, por gjithmonë i mjaftueshëm për ta frenuar atë. Mund ta imagjinoj që është zhgënjyese për të dhe aspak e mirë për ne. Ne punojmë që të mos kemi situata të tilla vazhdimisht, por deri më tani nuk e kemi gjetur 100 për qind çelësin e zgjidhjes”. Trajneri i Liverpool ofroi fjalë mbështetjeje për Shaqirin në mes të një sezoni plot përpjekje, duke thënë se atributet e tij unike fizike mund të fajësohen pjesërisht për dëmtimin e fundit: “Nuk është e lezetshme, absolutisht jo, por ndoshta ka arsye të ndryshme për dëmtimin e tij. Shaqiri është një lojtar shumë i veçantë në pjesë të ndryshme të trupit. Fiziku i tij është ndryshe nga i gjithë të tjerëve që kam parë ndonjëherë. Muskujt e tij janë të pabesueshëm”.