Kalaja e Himarës, një nga qendrat historike të vendit tonë, ka patur rritje interesi nga ana e vizitorëve vendas dhe kryesisht të huaj. Për një shërbim më cilësor ndaj vizitorëve, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë, gjatë vitit 2019 rinovoi infrastrukturën, si dhe ndërtoi një biletari e cila shërben edhe si zyrë informacioni për të gjithë vizitorët.

Kalaja e Himarës ka potencialin të rijetëzohet duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe historike. Kisha e Shën Sergjit dhe e Bakut, e shpallur monument kulture i kategorisë së parë, është atraksion turistik në bregdetin e Himarës, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën dhe trashëgiminë.

Kisha është ndërtuar brenda mureve rrethues të kështjellës së Himarës në kuotën më të lartë të saj, në zonën e Barbakasë. Ajo ka shërbyer si selia e Peshkopit të Himarës, e cila bëhet qendër Peshkopale në vitin 1020, nën varësinë e Patriarkanës së Ohrit siç dëshmohet nga një diplomë e lëshuar nga perandori i Bizantit Vasili II. Në këndin verilindor të kishës ndodhej një pllakë guri e murosur, ku shkruhej viti 786.

Kisha ka dy faza kryesore ndërtimi, por muret e saj ruajnë gjurmë të rindërtimeve të shumta. Ndërtimi fillestar i përket naosit me pjesët e poshtme të mureve, sepse pjesët e sipërme janë ndërtuar disa herë. Një mjedis ndihmës në anën perëndimore është ndërtuar më vonë. Ndërtimi fillestar ndahet në mjedisin e altarit dhe mjedisin e naosit me një ikonostas muri. Kornizat e ikonostasit janë zbukuruar me motive floreale.