Lojtarët e Milanit do ta mbajnë nga një shirit të zi në krah mbi fanellë, në kujtim të basketbollistit të ndjerë Kobe Bryant, edhe pse kërkesa për një gjë të tillë iu refuzuar nga Federata e Futbollit e Italisë. Tifozi i madh i Milanit dhe legjenda e basketbollit, Kobe Bryant, ishte në mesin e nëntë personave që mbetën të vdekur pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua të dielën. Bota e sportit ka qenë duke e vuajtur vdekjen e tij, ndërsa Milani ka vendosur ta nderojë legjendën e basketbollit, përkundër që s’i është dhënë leja për ta bërë një gjë të tillë, sipas Sky Sports Italia. Federata e Futbollit e Italisë e refuzoi kërkesën e klubit për të mbajtur shirit të zi në ndeshjen e sotshme të Kupës së Italisë kundër Torinos.
Megjithatë, gjiganti evropian ka vendosur që lojtarët të luajnë me nga një shirit të zi në krah, për nder të ikonës së NBA. Gjithashtu, para se të nisë ndeshja, në San Siro do të mbahet një minutë heshtje. Në stadium pritet të jetë të pranishëm mbi 35 mijë persona. Milani e kishte postuar një mesazh prekës pasi ishte bërë i ditur lajmi për vdekjen e Bryant. “Ne nuk kemi asnjë fjalë për shprehur sa të tronditur jemi nga lajmi për vdekjen tragjike të njërit ndër sportistët më të mirë të të gjitha kohëve dhe tifozit të Milanit, Kobe Bryant”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga klubi. “Familjet e të gjithë të prekurve nga ky aksident tragjik janë në mendjen tonë. Ti do të na mungosh përjetësisht, Kobe”. Bryant i kishte kaluar shtatë vjet të fëmijërisë së tij në Milano dhe ishte tifoz i madh i klubit kuqezi.