Nga ARTUR AJAZI/
Edhe pse situata politike duket sikur ka ndryshuar, pas vendimit të (pa) pritur nga selia blu për uljen në tryezë me përfaqësuesit e shumicës qeverisëse, sërish mund të themi me bindje të palëkundur se, kjo parti nuk prodhon më politikë, dhe aq më tepër konstruktive. Gjithçka në atë parti ecën dhe fluturon për inerci të momentit, gjithçka vendoset dhe fshihet sipas interesave të individit dhe klanit të tij, pa menduar gjatë për arritjet dhe pasojat. Së fundi Parita Demokratike ishte e detyruar për të dhënë sinjalet, se “është kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor në Shqipëri”, që nuk do të sillte listat e hapura në votime. Një prej zyrtarëve të asaj partie, njëherësh pjestar i tryezës për zgjedhoren, është shprehur se “sistemi me një listë kombëtare të hapur që propozojnë zotërinjtë e Nismës Thurje, është një sistem pak i përdorur dhe nuk prodhon qëndrueshmëri politike”.
Më tej ky zyrtar i ish-opozitës ka deklaruar se “kam preferuar sistemin mazhoritar, pasi do të doja të garoja drejtëpërdrejtë, preferoj të fitoj drejtëpëdrejtë ose të humbas drejtëpërdrejtë”. Sipas tij “edhe dokumenti i nënshkruar mes palëve nuk është marrëveshje, por një dokument për rregullat e betejës së ardhshme”. Madje sipas SHQUP-it, “tryeza për Reformën Zgjedhore ishte fitore e opozitës, pasi Rama kishte deklaruar se reforma do bëhej në Kuvend, por tani gjithçka do vendoset nga Këshilli Politik, jashtë Kuvendit”. Dhe në fakt dokumenti, ka përcaktuar rregulla të qarta me të cilat do të përballen përfaqësuesit e partive për Reformën Zgjedhore. Por ajo që vihet re, është fakti se Lulzim Bashës i mungon qartazi vullneti për të sjellë stabilitet politik madje edhe brënda partisë tij. Dokumenti ka bërë që palët të angazhohen sipas rregullave të qarta, duke kushtëzuar bërjen e Reformës Zgjedhore, si i vetmi kusht që detyroi Partinë Demokratike të bëjë hasha “revolucionin popullor”.
Brënda pak ditëve, nga vendimi “kolegjial” për të caktuar emrat e bashkhartuesve të zgjedhores, nga Partia Demokratike ka patur të paktën 3-4 qëndrime të kundërta, ku njëri dilte dhe lexonte “letra nga baza”, dhe tjetri merrej me organizimin e protestave të 20 Shkurtit. E ndërsa tryeza pritet të mbledhë përfaqësuesit e partive për zgjedhoren, nga SHQUP-i, nisin dhe dalin presione dhe kërcënime për data të caktuara, për “krizën humanitare” nga e cila na “shpëton vetëm PD në pushtet”, ndërkohë që në zyrat e shefit hidhet valle për “ditoren e gjyqit ndaj parave të lobimit në SHBA”. Një kaos total në një parti politike, që ka vendosur t’i kthejë kurrizin interesave të vendit e shqiptarëve edhe në momente të vështira. Një parti politike, e konsumuar nga pushtetet, aferat dhe akuzat, një parti politike me mungesë të plotë vizioni dhe vullneti, programi dhe alternative, për të qenë dinjitoze si garuese e barabartë në çdo fushatë elektorale.
Por ajo që e bën më tragjikomike situatën në PD, mbetet fakti se lidershipi i saj, nuk e ka kuptuar ende se durimit të europianëve po i vjen fundi. Ata nuk e kanë kuptuar ende se, ikja nga Parlamenti, bojkotimi i zgjedhjeve dhe mungesa e arsyetimit politik mbi situatën, i ka renditur në fund të preferencave edhe nga faktori ndërkombëtar. Një parti e mbytur në skandale, që shet dhe ble sipas interesave qëndrueshmërinë e saj politike, që merret me ide dhe aksione lokale, patjetër nuk mund të prodhojë stabilitet, progres, dhe programe afatgjata. Kjo PD, nuk prodhom më politikë, ajo thjesht do të mbetet një ish-parti në pushtet, dhe kaq.