Llapi nuk di të ndalet në këtë merkato janari. Skuadra e Superligës kosovare ka zyrtarizuar prurjen e katërt në ekip, teksa ka prezantuar portierin shtatlartë, Giacomo Nava. 22-vjeçari ka nënshkruar një kontratë për 1 vit e gjysmë.

Paraqitjet sensacionale e Nava me skuadra si Rimini, Lentigione dhe Lecco kanë bindur drejtuesit e Llapit që t’i besojnë italianit çelësat e portës deri në verën e vitit 2021. Nava i ka hedhur hapat e para si futbollist te klubi i madh italian, Sampdoria, ku u aktivizua me skuadrën e U-19. Në karrierën e tij të pasur, numëron 113 paraqitje, ku në 43 ndeshje ka mbajtur të paprekur portën.

Më parë, me Llapin kanë firmosur Atdhe Grajqevci, Nertil Hoxha dhe Jasmin Raboshta.