Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, do të vizitojë Tiranën, të enjten, më 16 janar. Sipas axhendës së publikuar në faqen e Komisionit Europian, gjatë vizitës në Tiranë, Komisioneri Varhelyi ku do të takohet me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Parlamentin të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
Gjithashtu, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Varhelyi do të takohet edhe me kryetarët e opozitës, teksa në vazhdim të axhendës së tij, ai do të vizitojë edhe zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjithashtu KE ka njoftuar se Konferenca e donatorëve që do të mundësojë ndihmën e vendeve të BE për të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit do të zhvillohet në Bruksel në datë 17 shkurt.
Kjo është vizita e parë në vendin tonë për zyrtarin e BE-së, i cili zëvendësoi më 27 nëntor, Johanes Hahn në postin e Komisionerit për Zgjerim në Bashkimin Europian. Përpara se të mbërrijë në Shqipëri, Varhelyi do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, teksa vizita në të dyja vendet bëhet në kuadër të hapjes së negociatave për në BE. Maqedoninë e Veriut komisioneri do ta vizitojë më 15 janar, ndërsa Shqipërinë më 16 janar, një ditë më pas.