Kompani të shumta ajrore europiane si ”Air France” dhe ”Lufthansa” kanë njoftuar sot pezullimin e fluturimeve në hapësirat ajrore iraniane dhe irakiane, disa orë pas sulmeve të kryera nga Irani kundër dy bazave të ushtarëve amerikanë në Irak. Agjencia Federale e Aviacionit Amerikan (FAA) ka ndërprerë fluturimet, që prej dje në mbrëmje, të dy avionëve civilë amerikanë në Irak, në Iran dhe në Gji, në kuadër të sulmeve.
“Si masë parandaluese dhe që prej njoftimit të sulmeve ajrore, ‘Air France’ ka vendosur pezullimin deri në një urdhër të ri të të gjitha fluturimeve në hapësirat ajrore iraniane dhe irakiane”, theksoi një zëdhënës i kompanisë ajrore. Kompania holandeze KLM, që bën pjesë në të njëjtin grup, ka aplikuar të njëjtën masë parandaluese.
“Të gjitha fluturimet drejt destinacioneve të ndryshme në Azinë juglindore dhe në Lindjen e Mesme do të realizohen në rrugë alternative”, deklaroi një zëdhënës i KLM-së. Në Gjermani, “Lufthansa” ka anuluar fluturimin e saj të përditshëm me destinacion Teheranin para pezullimit të fluturimeve në Iran dhe Irak.
Kompania kombëtare polake LOT do të ndjekë rrugë të tjera duke shmangur Iranin për fluturimet drejt Indisë, Singaporit, Sri Lankës dhe Tajlandës në mënyrë të veçantë. Këto ndryshime ndodhën pas lëshimit nga Irani të disa raketave kundër bazave të Ain al-Assad dhe d’Erbil në Irak, përdorur nga ushtria amerikane, si kundërpërgjigje e sulmit amerikan që shkaktoi vdekjen në Bagdad të gjeneralit iranian, Qassem Soleimani javën e kaluar.