Presidenti i Sindikatët së futbollistëve shqiptar, Andi Lila u shpreh mjaft i kënaqur për mbarëvajtjen e eventit të mbajtur në stadiumin e ri kombëtar, në kuadër të mbledhjes së fondeve për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në një prononcim për mediat, mbrojtësi i Tiranës falenderoi ato që e kanë kritikuar, ndërsa rikonfirmoi se në të ardhmen do të kërkojnë të drejtat e statusit të sportistit dhe artistëve në Shqipëri.
“Falenderoj edhe ato që kishin kritika. Sot tregoi që sporti është bashkë. Përveçse nga ana njerëzore, De Biasi më duket si njeriu im. Kam kaluar pjesën më të mirë të karrierës me të. Jo vetëm nga ana sportive por edhe nga njerëzore është trajneri më i mirë që kam pasur. Pasi e telefonova, më krijoi lidhje me presidentin e Sindikatës së Futbollistëve italian. Edhe ai ishte promotor i kombëtares italiane. Bëri një të mirë dhe zoti ia shpërbleu.
Hapi i radhës i Sindikatës? Ne jemi të rinj, kemi rrugën tonë. Kemi rrugën e drejtë dhe normalisht mund të kemi përplasje me Federatën. Por, kjo nuk do të thotë se nuk mund të jemi edhe bashkë. Normalisht ne kemi të gjithë futbollistët në Shqipëri, i kemi hyrë kësaj pune dhe do t’i dalim për zot atyre që janë pjesë e Sindikatës. Unë nuk kam bërë kurrë luftë me njeri, imagjino, i falenderoj edhe ata që më shajtën dhe më thanë një llaf të keq dhe jo të bëj luftë me njeri. Normalisht, për të drejtën kurrë nuk do të tërhiqem. Madje, ju ftoi dhe ju si gazetarë që të më kritikoni nëse do dal nga rruga e drejtë që unë mendoj se është rruga e drejtë. Unë nuk jam vetëm, kam edhe stafin tim kështu që shpresoj që të mos më lejojnë mua që të dal nga rruga.
Problemet me pagat? Normalisht ne i kemi vendosur piketat, por ka shumë probleme në futboll. Nuk themi që ne erdhëm dhe do të rregullojmë futbollin shqiptar. Normalisht presidentët janë heronj pasi deri tani kanë paguar nga xhepi i vet. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të paguajnë. Edhe shteti duhet të bëj punën e tij, të bëj reformën ekonomike në sport. Nuk më takon mua që ta prek këtë temë por piketat tona. Më kanë premtuar edhe artistët që do të ulemi në një tavolinë dhe do të kërkojmë statuset e sportistit dhe artistëve, sepse sportistët dhe artistët janë nderi i këtij kombi. Piketat i kemi hedhur dhe besoj se do të hedhim hapa të ngadaltë dhe të sigurtë,” përfundoi Lila.