Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shkallës së dytë të Vetingut, Natasha Mulaj si dhe gjyqtarja pranë Kolegjit Rezarta Schuetz, arsyetojnë se anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllari duhet të përjashtohet për 15 vite nga drejtësia shqiptare, pasi nuk ka pranuar t’i nënshtrohet procesit të Vetingut për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Por, nga ana tjetër, relatorja e çështjes Ina Rama si dhe gjyqtarët Sokol Çomo dhe Ardian Hajdari kanë vendosur që të pranojnë kërkesën e Marsida Xhaferllarit për mos t’ju nënshtruar rivlerësimit në shkallën e dytë, duke e lënë përfundimisht anëtaren e Kushtetueses pa Veting. Po çfarë ka ndodhur me znj. Xhaferllari dhe si arriti ajo të bëhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese pa Veting dhe në vend të Arta Vorpsit, e zgjedhur automatikisht në Kushtetuese, për shkak të mosveprimit të Presidentit Meta?
Marsida Xhaferllari ka ushtruar detyrën e kryeinspektores së Inspektoratit pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë në kohën kur ka hyrë në fuqi ligji i Vetingut. Ajo kandidoi për pozicionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Në mars të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Vetingut, vendoi që mos të marrë asnjë vendim për Marsida Xhaferllari, nëse duhej apo të konfirmohej në detyrë, me argumentin se Xhaferllari e kishte humbur statusin e gjyqtares. Ndër të tjera, KPK-ja arsyetonte se Xhaferllari ka ushtruar funksione jashtë sistemit të drejtësisë për një kohë më të gjatë se sa e parashikon ligji, duke humbur kështu statusin e magjistrales. Nga ana tjetër, Marsida Xhaferllarit i duhej kalimi i Vetingut, si kusht për t’u bërë pjesë e organeve të reja të drejtësisë. Një nga kushtet për t’u bërë anëtare e Gjykatës Kushtetuese është kalimi i Vetingut. Besnik Muçi u largua nga Kushtetuesja vetëm sepse u shkarkua në shkallën e dytë të Vetingut.
Marsida Xhaferllari vuri në lëvizje Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke i kërkuar ndryshimin e vendimit të shkallës së parë të Vetingut dhe konfirmimin e saj në detyrë. Në 13 nëntor të vitit 2019, Presidenti Ilir Meta, përmes një dekreti që nuk njihet nga Kuvendi, vendosi të emëronte Marsida Xhaferllarin anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Xhaferllari ishte renditur e katërta në listë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Sipas ligjit Presidenti duhet të zgjidhte mes tre kandidatëve të parë brenda 30 ditëve. Meta nuk veproi brenda këtij afti, duke bërë që kandidatja Arta Vorpsi, e renditur në treshen e parë, të emërohej automatikisht anëtare e Kushtetueses, sipas ligjit. Ndonëse afati ishte konsumuar dhe Arta Vorpsi ishte zgjedhur automatikisht, Presidenti Meta emëroi Marsida Xhaferllarin. Dekreti nuk njihet nga Kuvendi, ndërsa fjalën e fundit për këtë konflikt pritet ta thotë Komisioni i Venecias.
Në 15 nëntor 2019, pikërisht dy ditë pasi ishte emëruar nga Meta në Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, ka depozituar në Kolegjin e Apelimit një kërkesë, ku tërhiqte kërkesën e saj për ndryshimin e vendimit të shkallës së parë të Vetingut dhe konfirmimin e saj në detyrë. Pra, Xhaferllari hiqte dorë nga kërkesa për t’u konfirmuar si pjesë e drejtësisë, me argumentin se një organ tjetër kushtetues, përkatësisht Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka kryer ndaj saj një proces kontrolli për tre komponentë, atë të pasurisë, të figurës dhe të profesionalizimit. Kolegji ka vendosur me shumicë votash të pranojë tërheqjen e Xhaferllari. Në vendim, Kolegji arsyeton se gjendet para zbatimit të detyrueshëm të nenit 463 të Kodit të Procedurës Civile, në të cilin parashikohet dhe rregullohet pasoja ligjore e heqjes dorë nga ankimi, sipas këtij përcaktimi: Në çdo fazë të gjykimit të çështjes në apel, ankuesi ose përfaqësuesi i tij mund të heqë dorë nga ankimi. Në këtë rast vendoset pushimi i shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit.
Por, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz, kanë arsyetuar se sipas nenit G të Kushtetutës, kur subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. Dy gjyqtaret i janë referuar gjithashtu edhe nenit 179/b të Kushtetutës, i cili parashikon që ‘të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio”. Të dy palët, si shumica, ashtu edhe pakica, kanë argumente të forta. Si përfundim, vendimi i Kolegjit lë pa Veting Marsida Xhaferllarin, duke vënë në pikëpyetje statusin e saj. Argumenti i saj se Vetingun ia ka bërë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duket i pabazë, pasi KED ka verifikuar dhe ka shpallur kandidatë edhe emra të tjerë, të cilët më pas janë shkarkuar nga Vetingu. Shkarkimi i Besnik Muçit, për shembull, konfirmon se KED nuk mund të zëvendësojë organet e Vetingut.