Barazimi në kampionat ndaj Atalantës ka qënë thjeshtë një rastësi për Interin. Këtë, zikaltërit e treguan mbrëmjen e sotme, ku shkërmoqën me rezultatin e thellë 4-1 Cagliarin në ndeshjen e raundit të 1/8-ave të Kupës së Italisë. Me një Nicola Barella në superformë dhe me një vrasës si Romelu Lukaku, Interi e gjeti shumë shpejt rrugën e rrjetës.
Ishte pikërisht belgu që ende pa u mbushur minuta e parë përfitoi nga një pakujdesi e miqve për të tundur rrjetën. Në të 22-të ishte radha e Valero për të “fituar” skenën. Spanjolli gjen bukur me trup topin e hedhur në zonë nga Barella dhe shënon për 2-0. Në avantazhin e dyfishtë, Inter merr leksione të tjera nga Antonio Conte për të gjetur edhe dy herë rrjetën. Ishte sërish Lukaku ai që shënoi. Belgu devijoi bukur me kokë sferën drejt fundit të portës kundërshtare, diçka të cilën e bëri edhe shoku i tij, Ranocchia në minutën e 81-të. Goli i Oliva në të 73 minutë shërbeu sa për statistikë.
Me këtë fitore, Inter kualifikohet për në çerekfinalen e Kupës së Italisë, ku i mbetet të zbulojë edhe emrin e kundërshtarit që del nga 90 minutëshi mes Fiorentinës dhe Atalantës.