Nga Elton Koka
Është e habitshme se si gjithkush mund të marrë përsipër të flasë për gjithçka edhe pse njohuritë e tij mbi çështje të caktuara janë copa gazetash, tituj portalesh apo thashetheme kafenesh. Një temë që ka shqetësuar mbarë opinionin publik është edhe çështja e lirimit të “peshqve të mëdhenj” nga qelitë e burgut. Është një temë që na prek të gjithëve pasi kjo cenon rendin e sigurinë e shoqërisë e cila një nga motivet kryesore që paraqet kur zgjedh të largohet nga Shqipëria, është frika për jetën. Edhe pse situate, nuk është kaq e zezë sa media përpiqet ta pasqyrojë, sërish është shqetësuese pasi nuk është e lehtë që të përballesh sërish në rrugë me të fortët e burgjeve të cilët se kanë për gjë të të vrasin pasi e kanë hequr “frikën” e burgut.
Ajo që shtrohet haptas në sferën publike është përgjegjësia e cila në këtë vend shpesh herë ngelet jetime. Kjo lidhet edhe me faktin se sot të gjitha institucionet e drejtësisë, përjashtuar Ministrinë e Drejtësisë kanë heshtur për lirimin e të burgosurve, duke i “shkelur syrin” vendimeve të padrejta. Sot kemi Këshillin e Lartë Gjyqësor që nuk ka thënë asgjë. Prokurorinë e Përgjithshme që nuk ka thënë asgjë. Institucionet e reja të drejtësisë që nuk kanë thënë asgjë. Të vetmit që flasin janë analistët, ndërkohë institucionet mirë që heshtin por as nuk veprojnë. Por le ti marrim gjërat me radhë për të pasur një panoramë më kuptimplotë. Nëse po “fut ujë” reforma në drejtësi këtë do ta tregojë koha por sot jemi para një fakti ku Ministria e Drejtësisë është lënë e vetme nga institucionet e tjera, çka duket sikur motivon gjyqtarët që të vijojnë të ndërmarrin vendime arbitrare.
Ajo që kemi deri tani institucionalisht është veç një reagim i ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj e cila kërkoi me emra shkarkimin e gjyqtarëve që po dëmtojnë besueshmërinë e qytetarëve te reforma në drejtësi. Pavarësisht se Gjonaj tregoi se ka marrë disa hapa konkrete duke vendosur në lëvizje të gjitha institucionet nën varësi, sërish kjo nuk e qetëson situatën. Në fund të fundit, pozicioni që ajo ka nuk është se ka ndonjë rol të madh mbi gjyqësorin, (për të mos thënë që nuk ka asnjë kompetencë mbi ta), çka mund ta përmirësojë situatën por nuk mund ta zgjidhë atë. Pavarësisht faktit, “de juro” gjykatësit janë të pavarur, dhe kjo e drejtë duket sikur ju ka dhënë atyre fuqinë për të mbyllur të gjitha “qokat” e lënë përgjysmë para se t’i nënshtrohen vettingut. Pozita e pavarur e një gjykatësi është e garantuar dhe mbrohet nga Kushtetuta, nga ligjet kombëtare dhe nga traktatet e ratifikuara ndërkombëtare të cilat ofrojnë: Zgjedhje objektive dhe procedura shkarkimi, afat të pakufizuar në detyrë, pa ndërrueshmëri të gjykatësve, imunitet dhe paga që sigurojnë një siguri materiale të vetëmjaftueshme dhe të pavarur, si dhe pozita shoqërore etj. Duke u nisur nga kjo, si dhe nga heshtja e institucioneve të drejtësisë ata po shfrytëzojnë çdo mundësi për të liruar të gjithë përsonat që po shfrytëzojnë fijet e fundit lidhëse mes drejtësisë dhe korrupsionit. Ndaj në këtë moment, është e nevojshme që vendin e deklaratave të analistëve apo pseudo-avokatëve, ta zërë fjala e institucioneve të cilat është mirë që të mos heshtin por të flasin për atë që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë të dorëzojnë çelësat pasi nuk mundet që rendi dhe siguria të varet në dorën e atyre që harrojnë rrugës misionin e tyre.