Banorë të Vaqarrit dhe rrethinave, të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti do vendosen në një rezidencë me vileta druri njëkatëshe, projekt për të cilin kanë nisur punimet.

Përveç shërbimeve të ndryshme sociale dhe terreneve sportive në Vaqarr ngjitur me shkollën ekzistuese do të ndërtohet edhe një shkollë nëntëvjeçare. Kësaj lagjeje të re, përveçse do të jetë model në infrastrukturë do t’i mundësohet edhe transporti publik, duke shtuar një stacion për linjën e autobusit të Kombinatit.

Nevin Bilali, drejtore e Projektimit pranë bashkisë së Tiranës në një intervistë për ATSH-në shpjegoi me detaje projektin e parashikuar, për të cilin kanë nisur punimet.

“Ky projekt do të prekë edhe ndërtimin e shtëpive të reja por komplet qendrën e Vaqarrit. Përveç ndërtimit të rezidencës me banesat të reja, me module druri do të kemi ndërhyrje edhe në hapësirat publike dhe në hyrje të Vaqarrit. Do të bëhet një qendër rekreative për të gjitha grupmoshat, gjithashtu do të kemi një objekt të ri që do të shtohet, një godinë shkollë 9-vjeçare. Nevojat kanë qenë edhe më parë për njësinë e Vaqarrit por tashmë janë edhe më të theksuara nevojat pasi pjesa më e madhe e familjeve që do të vijnë në këtë rezidencë që krijohet janë familje me fëmijë. Këta fëmijë duhet të kenë një shkollë të denjë për të studiuar në vazhdimësi. Kemi edhe një objekt të ri që do të shtohet. Ish-Vatra e kulturës që është aktualisht në qendër të Vaqarrit mendohet që të rindërtohet si qendër komunitare”, -tha ajo.

Ndërkaq, Bilali theksoi se modeli i kësaj lagjeje do të shtrihet edhe në lagje të tjera.

“Ky është projekti i parë pilot dhe do të jetë shembull për projektet e tjera në fshatra, në njësitë e tjera administrative që janë prekur nga tërmeti. Jo vetëm Vaqarri dhe familjet e Vaqarrit janë prekur nga tërmeti fatkeqësisht por të prekur kemi në Pezë, Ndroq, Zall-Herr dhe në të gjitha këto njësi administrative do të kemi një ndërhyrje të tillë. Pra, krijimin e këtyre qendrave pranë njësive administrative dhe pranë shkollave mbi të gjitha”, -u shpreh ajo.

Ish-Poligoni i vjetër i Forcave të Armatosura do të kthehet në qendrën e Vaqarrit, ku familjet që do të zhvendosen aty do të kenë jo vetëm banesa të reja shumë herë më të mira se ato që kanë pasur në fshat, por edhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme.