Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit në tremujorin e tretë të vitit 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se konsumi i popullatës është rritur me 3.89%, duke shënuar rritje për të tretin tremujor radhazi, ndërsa ky tregues shënoi ritmin e rritjes më të lartë që nga tremujori i dytë i vitit 2016.

Konsumi final i familjeve llogarit të gjitha mallrat dhe shërbimet që përdoren direkt për të plotësuar kërkesat individuale të familjeve rezidente. INSTAT raportoi se, konsumi final i popullatës pësoi rritje me 0.92% edhe krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. Rritja ekonomike për tremujorin e tretë të vitit 2019 rezulton të jetë 3.81%, ndërsa investimet e huaja janë rritur me 7.3% për 9-mujorin, duke arritur nivelin e 810 milionë eurove.

Rritja e këtyre dy treguesve, konsumit dhe investimeve që janë gjeneratorët kryesorë të rritjes ekonomike reflektojnë edhe rritjen e besimit në ekonominë shqiptare, falë reformave që u ndërmorën në vite dhe konsolidimit të duhur fiskal.