Duket se 100 vjetori i Kongresit të Lushnjes (21 janar – 31 janar 2020) do ti gjejë festimet me flamurin e ri që ka qenë i vendosur në shtëpinë dykatëshe të patriotit lushnjar Kaso Fuga, shtëpinë Muze të kongresit të Lushnjes, raporton newsbomb.al.
Kuratori Frederik Stamati prej muajsh po punon së bashku me Migena Dibrën për restaurimin e Flamurit të Lushnjes, që duhet thënë, ka qenë në gjendje të mjerueshme.
“Dëmtimi shumë i avancuar që shihet ne foto nuk ka ardhur si rezultat i keqtrajtimit të Flamurit, apo neglizhencës në ruajtje, por është pasojë e teknologjive të përdorura në shekujt e mëparshëm, për të rënduar mëndafshet me kimikate e për të rritur fitimet e prodhuesve, sepse pëlhurat e mëndafshta në ato kohëra shiteshin me kile. Eshtë trajtimi kimik i bërë nga industria e atëhershme, që çon në shkatarrimin e pëlhurës së mëndafshtë. E gjithë bota muzeale ka gjetur belanë me këta lloj mëndafshesh që degradohen vet-vetiu. Sado e vështirë situata, puna po ecen mire dhe se shpejti do të keni rastin ta shikoni flamurin të ekspozuar pa probleme” thotë Frederik Stamati që ka bërë gati flamurin, raporton newsbomb.al.
Procesi i shkatërrimit të Flamurit është ndërprerë njëhere e mirë. Ai flamur, do tu trashëgohet brezave të ardhshëm pa probleme. Nuk dihet se ku do të vendoset në mënyrë përfundimtare, në shtëpinë Muze në Lushnje, apo do ta mbajë Tirana.
Janë kryer shumë analiza në institucionet shkencore brenda vendit, por edhe tepër të specializuara në Evropë.