Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, i ka mohuar spekulimet se klubi londinez do të bëjë ofertë për ta transferuar sulmuesin e Lyonit, Moussa Dembelen, gjatë afatit kalimtar të këtij janari. Trajneri dhe legjenda e Chelseat i dha lajmet e fundit për transferime, duke thënë se e ka synim transferimin e një përforcimi në repartin e sulmit këtë muaj, për shkak të shqetësimeve për pasaktësinë e skuadrës aktuale para portës kundërshtare. Chelsea ka qenë në bisedime me Edinson Cavanin për një transferim në formë huazimi këtë muaj, pasi që sulmuesi uruguaian e do largimin nga Paris Saint-Germaini. Megjithatë, Cavani është i interesuar t’i bashkohet Atletico Madridit, që tashmë ia ka bërë disa oferta kampionit të Ligue 1.
Klubi londinez ka qenë i përfolur edhe për transferimin e Dembeles nga Lyoni për 40 milionë funte këtë muaj, përkundër që Lampardi e kishte mohuar edhe më parë interesimin e klubit për sulmuesin francez. Tani, Lampardi ka bërë të ditur sërish se Chelsea nuk është interesuar për futbollistin, që edhe vetë ka thënë se do ta vazhdojë karrierën, të paktën deri në fund të këtij sezoni, në Ligue 1.
“Lajmet nuk janë të vërteta”, tha Lampardi për situatën e Dembeles, para se të vazhdonte të fliste për lajmet se Chelsea po tenton ta bindë Cavanin ta shkëmbejë Parisin apo Madridin me Londrën. “Unë nuk jam në bisedime me Cavanin, kështu që nuk mund t’jua them këtë”. “Derisa dikush të jetë këtu dhe ne ta kemi transferuar atë… ajo do të jetë hera e vetme që unë duhet t’i komentoj këto situata”. Ndërkohë, Olivier Giroud vazhdon të stërvitet me skuadrën e Chelseat, përkundër që Antonio Conte dëshirën të ribashkohet me ish-sulmuesin e tij në Inter.