Nga Lorenc Vangjeli/
Ka të paktën tre vjet që nëpër Tiranë bën xhiro një frazë që nuk ka hiç të bëjë me një hyner që kryeqyteti e di të përkryer e të përjetshëm – politikën – por është e lidhur me një ofshamë eshtrash e klithmë shpirti, që në Tiranë i shohin si sëmundje të përkohshme – letërsinë!
“Unë e njoh Tom Kukën”!, i mburrej dynjasë sa poshtë rrugëve ditën, aq edhe përpjetë studiove televizive natën, një gazetar në zanat dhe shkrimtar në shpirt.“Tom Kuka nuk është njeri i vërtetë. Eshtë llagapi mbas të cilit fshihet EnKel Demi, shkrimtar në shpirt dhe gazetar si aksident”, i thoshte ai tipi plot tipave të tjerë që nuk para i kureshtojnë shumë as ofshamat dhe as klithmat, nëse ato nuk kanë të bëjnë me politikën. Sipas shumicës dërmuese, letërsia tashmë është absolutisht një mundim i kotë, një vuajtje pafund dhe torturë sfilitëse që nuk sjell as para, as lavdi, as pushtet mbi robin që lexon dhe as i jep seks robit që shkruan. Dhe në një qytet që ka gjithmonë e më shumë ngut, në një qytet me norma të qëndrueshme morali dhe që me statistikë nuk i jep seksit më shumë kohë sesa zgjati goditja finale e tërmetit të nëntorit në Shqipëri, të shkruash letërsi është mëkat i rëndë.EnKel Demi, si fjala që vjen vetë, Ardian – Christian Kyçyku, Preç Zogaj a Zija Çela, sa për të përmendur vetëm ca pak emra, vazhdojnë të jenë lumturisht mëkatarë në atdheun që sillet si nënë pa mëkate. Por kjo është histori tjetër dhe pak ka të bëjë me arsyet se pse EnKeli donte te ishte Tom dhe ju turr si Demi Kukës për tre vite me rradhë. Tom Koka, edhe personazh me gjasme, edhe shkrimtar me të vërtetë, nuk dihet në voton më në Tiranë; dihet vetëm se ai jua bën jetën më interesante ca pak njerëzve në Tiranë, pavarësisht etiketës që i vë vetes, si Kukë apo Dem. Ky dyzim që të kujton ëndrën e çdo nuseje që do të nusërojë për herë të dytë që t’i rrijë më bukur duvaku, zgjati më shumë sesa donte EnKel Demi dhe shumë më pak sesa meritonte Tom Kuka. Ky ishte një shans i dytë jete dhe një jetë ndryshe e të dyve e rinisur nga e para. Me dilemat e vështira për të zgjedhur. Si murg apo si horr. Si shkrimtar i varfër apo riosh instagrami me Range Rover. Si çiklist në Tiranën e djeshme apo karvanar mushkash në Çamerinë e nesërme. Pavarësisht zgjedhjes, mes Tom Kukës dhe EnKel Demit, ishte krijuar një raport incesti, me dashuri dhe urrejtje që në fund fare u shndërrua në statistikë në një qytet ku bijtë mezi presin të vrasin etërit e tyre. Siç ndodh rëndom në politikë, në letërsinë e mëkatit, ati vrau birin pa dhembje. Dhe Tom Kuka i vrarë pa mëshirë, u ngjall si EnKel Demi. Mund të kishte jetuar më gjatë biri, por ati është vanitoz si gjithë dynjaja. Dhe i rrëmbeu dritën atij që kishte lindur në terr, pa e falenderuar se mbas shtatit të tij të lartë kishte fshehur gjithë pasiguritë vetjake, dashuritë e mohuara dhe vrasjet e pakryera. Kjo është çfarë ndodhi tani. Pjesa tjetër është vërtet histori që i përket të shkuarës, njëlloj si vera e mirë qilarit.
Tre vjet më parë Tom Kuka derdhi Hide në Kalldrëmet e vjetër të Tiranës. E përtypi athtësinë e tyre me dhëmballë në mes të gojës dhe i pështyu bërthamat me skajin e saj drejt e në një libër që kishte një veti jo fort të zakontë: mbante erë duhani të mirë, ishte shkruar për t’u lexuar me ëndje, kishte një elegancë tronditëse kur fliste për dashurinë, për raportin mes të përhershmes dhe të përkohshmes, për rakinë lokale dhe seksin e përbotshëm, por që përtej asaj që dhuronte talenti i rrëfimtarit, lumturonte edhe sivëllezërit e tij të letrave. Secili nga ta kishte bindjen e ligë se ai roman ishte një aksident i lumtur. Dhe si i tillë, ishte një mrekulli që nuk mund të bënte bis përsëri.Mrekullitë ndodhin rrallë. Njëlloj si dashuritë e mëdha, që jorrëfimtarët nuk i kanë provuar kurrë dhe që ngatërrohen dhe betohen që ekziston vetëm një e tillë. Në fakt në Tiranë kështu është. Qyteti plot namuz tradite e fsheh shthurjen moderne mbas darkës së përbashkët në Krishtlindje dhe drekës po të përbashkët të Kurban Bajramit, ka tjetër piedestal e tjetër tempull: ka politikën. Politika ka vite që i ka zënë vendin letërsisë duke i shndërruar shumicën dërmuese të atyre që ushqehen me të, në ca gra nga ato të shthurrurat, që mbajnë gojën e këmbët hapur nga mëngjezi në mbrëmje, por as nuk bëjnë kurrë hajër dhe as provojnë kurrë se çfarë është orgazma.
Nuk ishte ky libri i parë i EnKelit, nën llagapin e sajuar të Tom Kukës, sepse vetë Tomi ishte i prapë shumë dhe ju dorëzua sërish mëkatit. Në vitet e mbrame të rinisë së tij, kur kishte hequr dorë një nga një prej veseve të vjetra, i ishte nënshtruar plotësisht qederit të të shkruarit. Njeriu që bënte shumë njerëz për të qeshur në Tiranë, që e shihje gjithmonë në shoqëri gazmore burrash pa gra dhe vetë mbetej burrë i një biondeje gazmore, rrëfeu një vit më pas se Gurët e Vetmisë nuk janë gjithmonë një gur për t’ja vënë zemrës që të harrojë. Edhe po ta linte këtu, do të ishte shumë e mjaftueshëm, por vesi nuk është si virtyti që ka jetë të përkohshme. Meqë nuk ka dy të vetëm sepse shkohet në tre, njëlloj si një grua që ka rënë në hamshor dashurie, në një Orë të Ligë, Tomi lindi librin e tretë. Duke i dhënë shumë gaz e mendim orëve të vetmuara të lexuesve të tij; duke i çuar në një botë fantastike që lindi në Tiranë, por që i ka rrënjët larg në jugun plot det të Shqipërisë, aty nga kanë rrjedhur shumë lotë e vdekje, kanë gjëmuar shumë daulle e janë hedhur shumë valle mbi gjoks valltarësh, aty nga ku kanë shkëlqyer e mbretëruar në diell Pallat e shkëlqyera të shqiptarit të djeshëm. Që njëlloj si shqiptari i sotëm, edhe nëse nuk i bënte zemra t’i thoshte punës “bismilah”, nuk i thoshte kurrë luftës plaç!