Liverpooli po zhvillon një sezon fantastik. Ekipi i “Redsave” ka bërë mjaft mirë gjatë këtij sezoni ku nuk njeh humbje prej një viti kalendarik. Trajneri Jurgen Klopp kryeson me meritë të plotë Premier Leaguen, ndërsa tani në janar duhet të përballet me sfida mjaft të vështira radhazi. Numri një i stolit po vuan shumë, pasi organika e tij është tkurrur. Ndeshja ndaj Sheffield i prishi planet, pasi mesfushori Naby Keita u dëmtua në nxehje. Ai nuk luajti në ndeshje dhe do t’i nënshtrohet një kontrolli me skaner. Keita nuk është dëmtimi i vetëm, pasi Klopp nuk ka as Lovren, Chamberlain, Matip, Shaqirin dhe Fabinhon.

Ai ka treguar gjendjen e tyre. “Keita do të bëjë një skaner sot dhe do të shohim me vëmendje se çfarë do të ndodhë me të. Nuk e di me siguri, por do të flas kur dikush të më thotë rezultatin. Ai nuk do të jetë ndaj Evertonit. Shaqiri duket mirë, por nuk do të luajë të dielën, Chamberlain gjithashtu, Matip po përmirësohet, Lovreni duket mirë, ndërsa Fabinho po merret me vrapime jashtë fushe. Të gjithë janë në rrugën e duhur, por nuk do të luajnë të dielën dhe nuk e di kur do të kthehen, pasi kalendari është shumë i ngjashur”, – tha Klopp.