Dy javë pasi gjyqtari Lazër Sallaku i dha pafajësi kreut të opozitës Lulzim Basha duke pushuar akuzën për falsifikim formulari ndaj tij në lidhje me lobimin rus, prokuroria apelon vendimin. ReportTv ka mësuar se prokurori Kolë Hysenaj ka apeluar vendimin e gjyqtarit duke kërkuar marrjen e pandehur të Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishit. Gjyqtari Sallaku e pushoi procesin penal dhe akuzën me argumentin se deklarimet e Nick Muzin se kishte marrë para nga PD e Basha ishin të pabesueshme dhe të pashoqëruara me prova. Ndërsa pritet vendimi i apelit për të kuptuar fatin e hetimit me lobimin rus dhe përgjegjësin e kreut të opozitës, i cili këtë proces e ka quajtur të montuar politikisht.
Por si është historia e lobimit? Akuzat kanë të bëjnë me një shumë prej 650.000 dollarësh, të paguara në 2017 lobistit amerikan Nikolas Muzin për llogari të Partisë Demokratike, por këtë shumë PD nuk ka deklaruar asnjëherë se e zotëronte. Gjyqtari Lazër Sallaku, nuk i gjykoi të mjaftueshme si prova as dokumentet zyrtare të Departamentit amerikan të Drejtësisë, të cilat faktojnë disbursimin e atyre 650.000 dollarëve në emër të Partisë Demokratike dhe të padeklaruar në Shqipëri. Prokuroria nuk e ka marrë në pyetje asnjëherë lobistin amerikan Nikolas Muzinin të cilit iu paguan 650.000 $, megjithëse ai ishte një dëshmitar themelor për të sqaruar përgjegjësitë e mundshme të të pandehurve dhe gjyqtarit Lazër Sallaku e mbylli çështjen para se Muzin të fliste.
Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Por kush fshihet pas kompanisë “Biniatta Trade”, që rezulton fantazmë e regjistruar në parajsat fiskale dhe cfarë e lidh me rusët? Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit 2017 duke ngritur dyshime për origjinën e parave duke sjellë nisjen e hetimeve nga prokuroria, që u pushuan nga gjykata, por u apeluan nga prokuroria sot.