Marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi pranohet nga komisioni parlamentar grek teksa pritet ratifikimi i saj në parlament. Lajmi është dhënë nga Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili thekson se, dje, Komisioni i Përhershëm për Prodhim dhe Tregti në Parlamentin grek miratoi Projektligjin për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“Marrëveshja është firmosur në maj të vitit 2018, por pritet vetëm miratimi i saj nga parlamenti grek”, nënvizon Majko. “Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjithë shtetasit shqiptarë që zotërojnë leje drejtimi, model i lëshuar nga 1 korriku i vitit 2005, ose ata që janë të pajisur me formatin që ka nisur të shpërndahet nga 24 janari i vitit 2017, mund të drejtojnë automjetin e tyre edhe në territorin grek”, shton ministri Majko.

“Marrëveshja parashikon që në momentin që shtetasit shqiptarë marrin qëndrim në Greqi, ata mund t’i konvertojnë patentat e tyre shqiptare në patenta greke pa pasur nevojë kryerjen e testeve teorike dhe praktike”, thekson ai. Majko nënvizon se, “konvertimi i patentave vlen edhe për shtetasit grekë që marrin qëndrim në Shqipëri”.