Nuk ka më dyshime, Rey Manaj do të jetë futbollisti më i ri i Barcelonës B. Skuadra e dytë e klubit katalanas ka gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarin shqiptar. Mediet spanjolle bëjnë me dije se sulmuesi i Albacetes ka mbërritur në Katalonja. Ai po kryen vizitat mjekësore dhe sapo rezultatet të dalin pozitive, nëse ndodh diçka e tillë, kontrata do të jetë gati. Lojtari dhe menaxheri i tij kanë rënë dakord paraprakisht për kushtet në kontratë dhe vetëm firma mungon për t’u zyrtarizuar gjithçka.
Manaj do të prezantohet zyrtarisht me ekipin e ligës së tretë dhe më pas do të vihet nën urdhrat e trajnerit. Lëvizja e tij duket e çuditshme, por lojtari shpreson që ekipi i tij të ngjitet në Ligën e Dytë, pasi po lufton për diçka të tillë. Ëndrra e madhe mbetet ekipi i parë, por gjasat që diçka e tillë të ndodhë janë të vogla.