Mijëra gra marshuan të shtunën në disa qytete të Shteteve e Bashkuara për të katërtin vit me radhë, në një lëvizje që synon të mbrojë një mori çështjesh që lidhen me të drejtat e grave.
Tubime u mbajtën në dhjetra qytete, përfshirë Uashingtonin, ku marshimi i parë i grave në 2017-n tërhoqi me qindra mijëra njerëz, vetëm një ditë pas betimit të Presidenti Donald Trump.
Marshimi është përshkuar nga një mesazh politik që kur nisi në vitin 2017, kur shumë prej pjesëmarrësve mbanin kapele rozë që u kthyen në simbol të ndjenjave të grave kundër presidentit Trump.
Pas 2017-s politika vazhdoi të jetë një temë e fortë e “Marshimit të Grave” përfshirë edhe 2018-n kur organizatorët e zhvendosën marshimin në Nevada, një shtet fushë-beteje për zgjedhjet për Kongresin që u mbajtën po atë vit apo edhe në 2019-n kur marshimi u kthye në Uashington.
Disa nga kandidatët demokratë për president në vitin 2020 morën pjesë këtë vit në “Marshimin e Grave” në qytete të ndryshme të vendit. Pete Buttigieg, ish-kryebashkiaku i South Bend-it ishte në marshimin që u mbajt në Reno të Nevadës ndërsa ish-guvernatori i Masaçusetsit Deval Patrick në tubimin e Karolinës së Jugut. Senatori Michael Bennet dhe biznesmeni Andrew Yang marrën pjesë përkatësisht në Nju Hempshajër dhe Ajoua.
Që nga marshimi i parë, organizimi është përballur me polemika, që kanë përfshirë edhe drejtuesit e saj duke i vënë përballë akuzave për anti-semitizëm. Organizatorët i kanë mohuar vazhdimisht pretendimet. Tre nga katër bashkëdrejtuesit kryesorë të organizatës janë larguar nga grupi dhe organizata ka caktuar një bord të ri që përfshin tre gra hebreje.
Bashkëkryetarja aktuale e “Marshimit të Grave” Isa Noyola, theksoi në një deklaratë se ky do të jetë marshimi i fundit përpara zgjedhjeve të 2020-s.
“Në vitin 2020, ne kemi një mundësi për të përfunduar atë që nisëm para tre vitesh, të largojmë Trump-in nga detyra“, tha ajo. /VOA/