Nga Mero Baze
Për të gjithë ata që u gëzuan se zgjedhjet në Kosovë mbaruan shpejt dhe rezultati doli brenda ditës, ka një ferr, në të cilin po i torturon Albin Kurti me taktikat e tij deri në detaje, për të fituar kohë dhe alibi për mosformimin e qeverisë.
Pasi ju desh të priste tri ftesa nga Presidenti për të formuar qeverinë, ai shkoi më në fund sot, në një orar që e vendosi vetë, për t’i thënë presidentit se nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë.
Sapo doli nga presidenti theksoi se takimi nuk ka efekt ligjor, pasi nuk dëshiron që të fillojë numërimi i 15 ditëshit, si i mandatuar për kryeministër.
Presidenti i ka lënë kohë 48 orë të paraqesë me shkrim propozimin për mandatin e kryeministrit dhe ka gjasa që Kurti të mendohet përsëri për ta thyer 48 orëshin, me qëllm që Presidenti ta bëjë fakt të kryer mungesën e vullnetit për të marrë mandatin dhe të dekretojë dikë tjetër.
Nëse e bën këtë, atëhere Kurti mund ta çojë në Gjykatë Kushtetuese dhe ta vonojë dhe 60 ditë të tjera formimin e qeverisë.
E gjithë kjo spirale makinacionesh teknike, tani është kthyer në kalë beteje për formimin e qeverisë në Kosovë.
Fitimtarët ndjehen më të frikësuar se kurrë, se nuk do të jenë fitues, ndërsa të tjerët që e pranuan humbjen, po i “kqyrin” me qetësi dhe cinizëm përpëlitjet e tij.
E njëjta betejë taktizuese është edhe kundër LDK-së.
Në bazë të marrëveshjes paraprake të negociuar mes të dy partive, por ende e papërfunduar, LDK-së do t’i takonte kryetari i Kuvendit. Meqë afati shkoi dhe marrëveshja finale nuk po plotësohej, Kurti shkoi në Kuvend dhe pa marrëveshje me LDK, propozoi kryetarin e Kuvendit, duke e bërë fakt të kryer.
LDK e votoi për të lënë hapur bisedimet dhe për të mundësuar formimin e Parlamentit, duke e lënë tani e tutje fatin e shumicës së re jo më në dorë të Kurtit, por të Parlamentit.
Po Kurti nuk u ndal këtu. Sot bëri dhe një hap tjetër taktik për të provokuar LDK-në. Ai bëri publik pesë emrat e ministrave të tij, po ashtu pa konsultim me partnerin e mundshëm të koalicionit.
Dhe këtu ka dhe provikimin e fundit taktik ndaj LDK-së dhe politikës Perëndimore, që lidhet me emrin e ministrit të Jashtëm, Blerim Reka, një shqiptar i Maqedonisë, kandidat për President në zgjedhjet e fundit.
Nuk e di ku ja shikon “Vlerën” një kandidati si Blerim Reka zoti Kurti, por kandidatura në fjalë, është gjëja më e vjetër që ka politika shqiptare në rajon, sa i përket mendësisë së bashkëpunimit rajonal.
Blerim Reka kandidoi në zgjedhjet e fundit në Maqedoni, gjoja si kandidat shqiptar, në të vërtetë kundër interesit themelor që kishin shqiptarët në Maqedoni, ruajtjen e koalicionit me Zaev dhe mos kthimin e partisë së Gruevskit.
Duke tentuar të heqë vota shqiptarësh, për një kandidat i cili ishte kandidat i koalicionit të shqiptarëve me maqedonasit në qeveri, në të vërtetë ai ishte i vetmi element anti-shqiptar në atë fushatë, i mbështetur edhe nga Albin Kurti.
Ai binte ndesh me politikën e shumicës shqiptare në Maqedoni, të mbështetur nga Perëndimi, si faktor vendimtar për të mbrojtur kursin anti- Gruevski.
Binte ndesh po ashtu me “Marrëveshjen e Tiranës”, e cila mundësoi formimin e qeverisë në Maqedoni nga faktori shqiptar.
Ky thjesht tentoi t’i jepte një dorë rikthimit të njeriut të Gruevskit në Presidencë, atij që gjakosi Parlamentin.
Vështirë se ndonjë diplomat perëndimor shikon ndonjë vlerë tek Blerim Reka, si diplomat mendjehapur, që mund ta çojë para procesin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë.
Ajo çfarë ka bërë me zgjedhjet e fundit në Maqedoni, ka qenë tërësisht anti-Perëndimore.
Nuk di çfarë “vlere” e Blerim Rekës e eksiton Albin Kurtin, por është e sigurtë se nuk ka asgjë diplomatike në këtë histori.
Është një periudhë ku Albini po i mbivlerëson taktikat më shumë se parimet. Ai po bën gjithçka të fitojë kohë për t’i nënshtruar aleatët e mundshëm me marifete, ose për të shkuar në zgjedhje si viktimë.
Në fakt nuk është votuar as për marifetxhi, as për viktimë, por demek se “është burrë”.