Zlatan Ibrahimovic nuk është sulmuesi klasik, që i errëson gjithë të tjerët përkrah tij. Antonio Nocerino e provoi këtë. Ai përfundoi me “shifra” të dyfishuara te Milani, me suedezin në skuadër, edhe pse jo saktësisht në rolin e Iniesta, Lampard apo Gerrard. Stefano Pioli dhe lojtarët e Milanit e thanë që ditën e parë se ardhja e Zlatan do të sjellë vetëm përfitime teknike dhe morale. Kjo gjë ka ndodhur tashmë.
Por, është edhe një aspekt tjetër, madje më objektiv dhe më i vërtetuar nga numrat, i cili nxjerr në pah ndihmën e madhe që Ibrahimovic po i jep Milanit aktual. Ndeshja e parë, 0-0 në “San Siro”, kundër Sampdoria, shërbeu vetëm për të treguar se çfarë mund të vinte më pas. Ishte njëlloj nxehjeje për 38-vjeçarin. Fakt është se në tri sfidat e njëpasnjëshme, skuadra kuqezi është rikthyer të shënojë (8 gola, gjithsej) me një lehtësi të panjohur deri më tani. Ardhja e Zlatan i ka ringjallur sulmuesit e Milanit, deri më tani zhgënjyes.
Me përjashtim të Suso, tani i destinuar të largohet, të gjithë të tjerët i “ngritën krahët në fluturim”. Ndaj Cagliari, loja u zhbllokua nga Rafael Leao, para vulës së Ibrahimovic. Në Kupën e Italisë, kundër Spal, fitorja erdhi nga golat e Piatek, Castillejo dhe Theo Hernandez. Dhe pastaj fitorja emocionuese e së dielës së kaluar kundër Udinese, në të cilën edhe një lojtar, që dukej i humbur, si Ante Rebic, shënoi dopietë vendimtare. “Për ca kohë ai duket si një lojtar i tjetërsuar…”, – tha Pioli për kroatin. A ka ndodhur kjo falë Ibrës? Faktet që dhamë më sipër e konfirmojnë këtë hipotezë.