Antonio Conte kishte kërkuar përforcime, për ta vazhduar betejën e titullit me Juventusin. Dhe Interi është i pranishëm në merkaton e janarit. Emri, me të cilin po negociohet së fundi është mjaft domethënës; Christian Eriksen. Sipas raportimeve nga “Gazzetta dello Sport”, mesfushori danez nuk ka ndërmend të rinovojë me Tottenham. Të premten, menaxhmenti i ekipit zikaltër u takua me agjentin e lojtarit dhe bëri ofertën e parë kontraktuale.
Martin Schoots do t’ia dërgojë propozimin klientit të tij për ta vlerësuar një transferim të mundshëm në qershor, ose që tani, në merkaton e dimrit. Pra, kontaktet me mesfushorin kanë filluar. Kërkesa e Eriksen është si vijon: 10 milionë euro neto në sezon. Kjo, si pagë për vetë lojtarin. Marrëveshja nënkupton edhe akordin me Tottenham, që kërkon 20 milionë euro si kompensim për ta lënë danezin të largohet gjashtë muaj përpara skadimit të kontratës.
Ndjenja është se vendimi i lojtarit mund të arrijë në fillim të javës tjetër. Interi ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt njërit nga mesfushorët më krijues e teknik në të gjithë skenën europiane. Ende për mesfushën, sidoqoftë, po “ekzaminohet” pista që i çon zikaltrit tek Arturo Vidal. Në fakt, kjo rrugë është bërë mjaft me pengesa ditët e fundit. Trajneri Valverde ka vendosur veton për kilianin, duke e konsideruar pjesë të rëndësishme në “Camp Nou”. Ausilio dhe Marotta janë vigjilentë, për të parë nëse modifikohet strategjia e katalanasve, me ndonjë ndryshim të mundshëm në pankinë. Pas humbjes së gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës, vetë Valverde është në fije të perit. Kiliani mbetet dëshira numër një e Antonio Conte për merkaton e janarit.
Ndërkohë, Ashley Young po afrohet me shpejtësi. Ole Gunnar Solskjaer u përpoq ta bllokonte atë me fjalët e thëna, por rëndësi kanë veprat në kësi rastesh. Lojtari anglez nuk u thirr nga trajneri norvegjez për ndeshjen e sotme kundër Norwich. Një shenjë që tregon se ai nuk preferohet më në “Old Trafford”. Young ka zgjedhur Interin, por nuk është i vetmi lojtar i Premier League, që mund të zbarkojë në grupin e Antonio Conte.
Pista e Olivier Giroud mbetet gjithashtu shumë e nxehtë tek Interi, sipas asaj që raportoi “Sky Sport”. Drejtuesit zikaltër ofruan 4 milionë euro, plus bonuse për kartonin e qendërsulmuesit francez, por Chelsea kërkon diçka më shumë. Pika e takimit mes palëve duket e afërt dhe “tymi i bardhë” mund të dalë gjatë fundjavës.