Mësimi u ndërpre për gjatë gjithë muajit dhjetor në Universitetin e Mjekësisë të Tiranës si dhe në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit Politeknik të Tiranës, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.
Si pasojë e gjendjes të rëndë të ambienteve në këto institucione, rektoratët vendosën pezullimin e mësimit deri në riparimin e godinave, me rifillimin e procesit mësimor më 6 janar.
Ndërsa dëmet në Fakultetin e Inxhinierisë u shkaktuan që me tërmetin e shtatorit, por ndërtesa u rikonstruktua. Megjithatë, lëkundjet e forta të nëntorit e kthyen në gjendjen e mëparshme, ku nga Instituti i Ndërtimit u vlerësua e rrezikshme për studentët pasi auditorët nuk ishin gati për nisjen e mësimit.
Teksa mësimi në Fakultetin e Arkitekturës, godinën krah Inxhinierisë, nisi më 16 dhjetor, në Fakultetin që u dëmtua, studentët fillojnë këtë të hënë.
Për të kompensuar orët e humbura, gati 3.5 javë, ka ndryshuar struktura mësimore; ku do të zhvillohet aktiviteti mësimor edhe gjatë fundjavave. 3 të shtuna të muajit janar, 3 të shtuna dhe 1 të dielë të shkurtit studentët nuk do të pushojnë, për të shlyer orët e pazhvilluara mësimore të simestrit të parë.
Ndërsa për simestrin e dytë, studentët e inxhinierisë do të bëjnë mësim dhe të shtunave të muajve mars, prill dhe maj.