Lionel Messi thotë se nuk ndihet keq nga mënyra se si klubet kundërshtare përdorin stradegji për ta ndalur atë. 6 herë fituesi i “Topit të Artë” ka befasuar të gjithë duke zgjedhur Pablo Maffeon mbrojtësin e Gironas si kundërshtarin e tij më të vështirë. Aftësitë e jashtëzakonshme të 32-vjeçarit në fushë ka bërë që trajnerët kundërshtarë të caktojnë lojtarë për ta ndjekur argjentinasin hap pas hapi si formë për t’u mbrojtur kundër tij.
“Nuk më pengon që ma caktojnë një lojtar për të më qëndruar gjithmonë pranë. E di se ka ndeshje të vështira dhe mund të bëhet e çuditshme kur e ke gjithmonë dikë përreth vetes”, tha fillimisht Messi. Edhe pse argjentinasi gjatë karrierës është përballur me disa ndër mbrojtësit më të mirë në botë, Messi e zgjodhi mbrojtësin e krahut të djathtë të Gironas, Maffeon, si kundërshtarin e tij më të vështirë. “Pablo Maffeo i Gironës”, tha Messi menjëherë pasi u pyet për kundërshtarin më të vështirë me të cilin është përballur.