Lionel Messi nuk ka rival kur luan në nivelin e tij më të lartë dhe si një gjeni që është, njerëzit presin që ai të fitojë diçka me Argjentinën, sipas Juan Pablo Sorin, ish-përfaqësuesi i ekipit kombëtar bardhekaltër.
Me Lionel Scalonin në postin e trajnerit, dhe me Messin si kapiten, ekipi kombëtar i Argjentinës ka një vit ngazëllues përpara me Kupën e Amerikës në horizont, transmeton Gazeta Express.
Sorin beson se Messi është në gjendje t’i bëjë gjërat më të vështira në lojën e futbollit.
“Messi ka diçka të veçantë. Ai është i vetëdijshëm se është ndryshe nga të tjerët. Ai është zotëruesi i topit. Kur e ka topin, ai e di se është në gjendje ta bëjë gjënë më të vështirë dhe se do të jetë vendimtar çdo herë që e prek atë”, tha Sorin për Ole.
“Gjëja më e vështirë që e bën ai është ta ruajë nivelin e gjeniut dhe të jetë më i mirë çdo vit. Është çmenduri”, shtoi ai.
“Shpresoj se do të korrim rezultate të mira me të në ekipin kombëtar. Ai e meriton shumë të ketë sukses. Jo vetëm argjentinasit, por edhe tifozët nëpër botë presin që Messi të fitojë diçka me Argjentinën”, theksoi ai.