Lionel Messi mbeti i zhgënjyer nga disa gabime të skuadrës së Barcelonës, të cilat i quajti fëmijërore, në Arabi Saudite, ku djemtë e Ernesto Valverdes u mposhtën me rezultat 3:2 nga Atletico Madridi në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës. Barcelona u mposht në mënyrë tronditëse nga Atletico Madridi, me rezultat 3:2, në gjysmëfinalen e së enjtes në Kupën e Mbretit, shkaku i dy golave të shënuar afër fundit të ndeshjes nga madrilenët, transmeton Gazeta Express.

Fillimisht kishte qenë pikërisht Atletico që kishte kaluar në epërsi përmes golit të shënuar nga Koke, mirëpo Barcelona e kishte përmbysur rezultat falë golave të Lionel Messit dhe Antoine Griezmannit. Megjithatë, skuadra e Diego Simeones arriti të shënojë dy herë brenda dhjetë minutave të fundit të ndeshjes dhe e siguroi kështu një vend në finalen e madhe me Real Madridin. Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, u shpreh shumë i zhgënjyer nga ky rezultat.

“Është e turpshme, ne luajtëm shumë mirë. Pas kaq shumë kohë, ndiheshim se po bëjmë punë të mirë, ishim në kontroll të ndeshjes, dominuam dhe sulmuam vazhdimisht”, tha Messi, pas ndeshjes. “Ne e lamë ndeshjen të na ikë nga dorë në disa raste kur Atletico Madridi veçse ishte i vdekur. Brenda dhjetë minutave ata e ndryshuan plotësisht ndeshjen të cilën duhet ta kishim mbyllur qysh më parë ne”.

“Kjo na dhemb sepse bëhet fjalë për një titull dhe ne dëshironim të shkojmë në finale dhe ta fitojmë trofeun. Luajtëm mirë, por fatkeqësisht s’e morëm dot fitoren”. “Sonte e kemi bërë një hap përpara, përkundër humbjes. Por, jemi të vetëdijshëm se nuk po i bëjmë gjërat ashtu siç duam, ne nuk duam të bëjmë gabime të tilla fëmijërore më”.