Ardhja e Zlatan Ibrahimovic ka lëkundur së tepërmi pozitat e Krzystof Piatek te Milani.
Sulmuesi polak e nisi si titullar ndeshjen e parë të suedezit me fanellën kuqezi, por u zëvendësua në minutën e 55-të në ndeshjen ndaj Sampdoria pikërisht nga 38-vjeçari.
Kjo ka rritur gjasat e një largimi të mundshëm të tij, me 3 klube që kanë nisur menjëherë interesimin për të. Bëhet fjalë për Aston Villa, Bayer Leverkusen dhe Newcastle United, që sipas “Calciomercato” thuhet se janë të interesuar për transferimin e sulmuesit që në janar.
Vetëm 4 gola në gjysmën e parë të sezonit janë shumë pak për 24-vjeçarin, i cili u ble një vit më parë nga Xhenoa për shifrën e 38 milionë eurove.
Madje, Aston Villa është edhe skuadra e parë që bën ofertë konkrete për Piatek, rreth 20 milionë euro. Mbetet të shihet se kush do të jetë e ardhmja e polakut, por gjasat janë që faza e dytë ta shikojë me një tjetër fanellë.