Qytetarët maqedonas pavarësisht fatkeqësisë natyrore që preku vendin tonë do të zgjedhin sërish bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e tyre. Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se pavarësisht tërmetit, sërish qytetarët e vendit të tij, do të zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre për të kaluar pushimet. “Maqedonia nuk ka dalje në det dhe qytetarët e vendit tonë kanë vizituar prej vitesh tashmë bregdetin shqiptar dhe numri është gjithnjë e në rritje. Edhe pse Shqipëria u prek nga një fatkeqësi natyrore, siç ishte tërmeti i 26 nëntorit të shkuar, sërish qytetarët e Maqedonisë do të vijojnë të vizitojnë bregdetin shqiptar”,- tha Bekteshi.
Ai shtoi se marrëdhënia mes dy vendeve është pozitive dhe po punohet për thithjen e turistëve nga vendet e largëta. “Njëkohësisht të dy institucionet tona përkatëse po punojnë për të tërhequr sa më shumë turistë dhe në veçanti nga zonat e largëta për të cilat mund të ofrojmë paketa turistike të rëndësishme të përbashkëta”,- tha Bekteshi. Ai theksoi se Ballkani duhet të promovohet në fushën e turizmit, si një rajon dhe jo si shtete më vete. “Kemi nënshkruar dhe një memorandum bashkëpunimi me të gjithë fqinjë tanë. Ne po bëjmë analiza që bashkërisht, që të promovojmë Ballkanin si rajon dhe jo si shtete më vete. I vetmi qëllim është të thithim sa më shumë turistë të huaj”,- tha Bekteshi.
Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut ishte të martën i pranishëm në Tiranë në samitin “Turizmi, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, i organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ku morën pjesë dhe ministrat e Turizmit të rajonit dhe operatorë të rëndësishëm turistikë.