Aksidenti fatal i ndodhur në kodrën e Calabasës, 40 milje në veri-perëndim të Los Angelesit ku humbi jetën legjenda e basketbollit amerikan, Kobe Bryant dhe 8 persona të tjerë erdhi si pasojë e mjegullës së dendur që kishte “pushtuar” këtë zonë.

Ky është të paktën konfirmimi nga autoritetet amerikane edhe pse po punojnë për zbulimin e qartë të aksidentit ajror. Ndërkohë media “ESPN” ka arritur të zbardhë edhe telefonatën e fundit, mes pilotit të helikopterit dhe kontrollorëve të trafikut ajror pak para se helikopteri të rrëzohej.

Piloti ka kontaktuar me kontrollorët e trafikut ajror pak më parë për kushtet e motit ndërkohë që këta të fundit i kanë thënë se nuk mund të gjurmonin helikopterin për shkak të terrenit kodrinor të rajonit. Piloti u tha kontrollorëve se kishte filluar të ngjitej sipër shtresës së reve dhe vazhdoi në 2400 metra para se helikopteri të rrëzohej.